Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka deklaruar se në ditët në vijim do të marrin qëndrim se si do të trajtohet dhe në çfarë gjendje do të jetë Aeroporti i Gjakovës pas gjashtë muajsh.
Lekaj këto komente i bëri gjatë vizitës në këtë Aeroport, ku është pritur nga Vlora Gojani, menaxhere ekzekutive e këtij aeroporti, e cila e ka njoftuar ministrin me gjendjen e tashme dhe me sfidat e viteve të fundit, me të cilat është përballur dhe vazhdon të përballet ky aeroport.
Me atë rast u theksua se synim parësor i të gjithëve është funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës, ngase kjo do të paraqesë një faktor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të Gjakovës, por të gjithë Kosovës.
“Aeroporti i Gjakovës është një aset shtetëror i cili do të ketë impakt pozitiv në zhvillimin e Gjakovës dhe të rajonit, mirëpo më e rëndësishmja është se në fokus do të jetë qytetari ynë. Ne kemi shumë bashkatdhetarë që janë në botën perëndimore dhe që pikë kryesore e kanë Gjakovën, andaj mendoj se Qeveria e Kosovës do të bëjë më të mirën e mundshme që të operacionalizohet ky Aeroport dhe që të jetë në shërbim të qytetarëve, të vendit dhe në shërbim të komunikimit me vendet e tjera. Në ditët në vijim ne do të marrim qëndrim se si do të trajtohet dhe në çfarë gjendje do të jetë ky aeroport pas gjashtë muajsh. Unë mendoj se do të vijnë ditë të mira për të, sepse edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Haradinaj, është i fokusuar në atë që të bëhet diçka pozitive në këtë aeroport, e kur ekziston përkrahja e kryeministrit dhe e Qeverisë së Kosovës, atëherë suksesi nuk do të mungojë. Unë shpresoj se brenda gjashtë muajsh do të kemi një situatë krejt tjetër, një situatë pozitive që çon në operacionalizimin e këtij aeroporti. Pra, unë mendoj që pas gjashtë muajsh për këtë aeroport do të ndodhë diçka pozitive”, tha ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me rastin e vizitës së sotme në Aeroportin e Gjakovës. /Telegrafi/