Telegrafi

Lekaj: Partitë që nuk i fituan zgjedhjet, nuk po punojnë në interes të vendit

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka theksuar se partia të cilën ai e përfaqëson ka gatishmëri që t’i mbështesë të gjitha proceset pozitive në vend.

Ai në takimin e thirrur më partitë politike, nga shefi i shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se “Kosovës i duhen institucione demokratike dhe të mirëfillta, të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve”.

“Na vjen keq që subjektet që nuk i kanë fituar zgjedhjet, nuk janë në frymën e bashkëpunimit dhe shtetndërtimit, duke lejuar që të mbizotëroj interesi klanor dhe individual. Ata kanë treguar se nuk janë në shërbim të interesit të vendit. Ne jemi që institucionet të formohen dhe të thirret seanca në afatet e parapara kushtetuese”, ka shtuar Lekaj.

Ndryshe, ftesën e presidentit Thaçi për takimin konsultativ e kanë refuzuar Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-AKR-Alternativa.

Refuzimin ndaj ftesës së Thaçit e ka njoftuar edhe Lista Serbe nëpërmjet kryetarit, Goran Rakiq.

Rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik dhe brenda 30 ditësh presidenti duhet ta caktojë datën e mbajtjes së seancës konstituive ku zgjidhet kryetari dhe betohen deputetët e rinj. /Telegrafi/