Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, po merr pjesë në koncertin për hir të shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan.
Lekaj, përmes Facebookut, ka dhënë vlerësimin e tij për këtë ngjarje dhe për Nënë Terezën.
“Veprat dhe porositë e Nënë Terezës – testament i çmueshëm për mbarë njerëzimin.
Shpallja e shenjtë e humanistes shqiptare Nënë Tereza, fituese e çmimit Nobel për Paqe, është një ngjarje e madhe për popullin shqiptar dhe për mbarë botën, e cila pa dallim race, gjinie e feje, e ka përjetuar dorën e ndihmës së saj në vendet e varfra.
Pas shumë arritjeve të gjeneratave të reja, që e bënë të njohur Kosovën e popullin shqiptar në mbarë botën edhe kjo ngjarje me Nënë Terezën e nxjerr në pah edhe humanitetin e madh të popullit tonë.
Veprat humane të Nënë Terezës i kanë treguar botës së ne si popull jo shumë i madh në numër, bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe, siç edhe e ka thënë edhe vetë e ajo”, ka thënë Lekaj.