Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka reaguar pas konfirmimit se dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe Serbisë, do të takohen me 24 janar në Bruksel, edhe përkundër kërkesave që të pezullohen bisedimet.
Lekaj përmes një postimi në Facebook, është shfaqur kritik ndaj liderëve institucional për mospjesëmarrje në protestën e organizuar nga OVL e UÇK-së në mbështetje të Ramush Haradinajt, transmeton Telegrafi.
Postimi i plotë i Lekajt në Facebook:
“Kosova duhet të ndryshojë karshi Serbisë se pa ndryshuar!
Mospjesëmarrja e udhëheqësve institucional në protestën gjithë popullore të organizuar nga OVL-UÇK në mbështetje të një ish-kryeministri dhe një lideri politik me ndikim në Kosovë e për të shfaqur bashkë me ata mijëra njerëz që ishin dje, mos pajtimin me trajtimin që po i bëhet luftës çlirimtare.
E në anën tjetër konfirmimi i njërit prej këtyre udhëheqësve të Kosovës se do të takohet me kryeministrin e trenit pushtues serb është treguesi më i mirë se kush është sot në krye të vendit dhe se sa janë të sigurtë çlirimtarët e Kosovës dhe e ardhmja e saj, duke i pasur udhëheqës disa servila e armik të njëjtin shtet veç ndoshta ma te sofistikuar.
Prandaj Kosova duhet të jetë ndryshe për t’i bërë ballë Serbisë e cila nuk ka ndryshuar ”, (sic), ka shkruar Lekaj. /Telegrafi/