Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka reaguar pas publikimit të “Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2016” duke hënë se ky sondazhi i Transparency International, Kosovën e nxjerrë edhe me tutje në zonën e errët të korrupsionit”.
“Ky indeks tregon se Kosova edhe me tutje mbetet e fundit dhe me e korruptuara në rajon. Nga zero (0) si me e korruptuara në 100, si vendi me i pastër e pa korrupsion, Kosova ka vetëm 30 pikë pra është edhe më keq se disa vende të “botës së tretë””, ka shkruar Lekaj në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Lekaj, ky është lajm i keq dhe do të duhej të ishte shqetësim për të gjithë e sidomos për institucionet shtetërore.
“Të gjitha premtimet për një Kosovë ndryshe duke nënkuptuar një Kosovë pa korrupsion e më shtet të së drejtës janë veçse prioritete deklarative e premtime të pa mbajtura nga qeveria Mustafa e cila është “syrur” vetëm në dialogun me Serbinë, duke e harruar totalisht Kosovën. Pra, qeveria duhet të ndryshohet për të ardhë në shprehje një Kosovë e fortë dhe pa korrupsion”, ka përfunduar ai.
Në “Indeksin e Përceptimit të Korrupsionit 2016”, Kosova renditet e fundit në rajon ku është notuar me 36 pikë dhe gjendet në vendin e 95-të nga 176 vende të botës. /Telegrafi/