Telegrafi

Lekaj: Haradinaj do të rikthehet fuqishëm si Kryeministër

Ministri në dorëheqje i Infrastrukturës, Pal Lekaj thotë se lidri i partisë së tij, Ramush Haradinaj, do të kthehet edhe më i fortë nga Haga.

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj e quan fatkeqësi dorëheqjen e Ramush Haradinajt para përfundimit të mandatit të tij. Për Lekajn, kjo është Qeveria më e mirë që ka përjetuar Kosova.

“Haradinaj do të kthehet edhe më i fortë, për të rimarrë pushtetin”, ka thënë Lekaj, për Express.

“Kryeministri Haradinaj tregoi edhe njëherë madhështinë e tij, ndonëse po përballet me padrejtësi për herë të tretë. Është fatkeqësi që qeverisja më e mirë që po përjeton Kosova, po ndërpritet në gjysmë.”, ka thënë Lekaj.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të premten pasi tha se i erdhi ftesa për nga Specialja për t’u paraqitur në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Të shtunën, Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli tha se ish-Kryeministri s’e konsultoi fare kur dha dorëheqje. Kërkoi të shkohet në zgjedhje dhe të caktohet data nga Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi.

Edhe Pal Lekaj i AAK-së thotë se është në dorën e Presidentit që të marrë vendimin se çfarë do të ndodhë më tutje.

“Mbetet në dorën e presidentit të vendosë se çfarë do të ndodhë më tutje dhe deri atëherë ne vazhdojmë me punë”, tha Lekaj .

Ramush Haradinaj dha për herë të dytë dorëheqje prej pozitës së Kryeministrit. Kohëve të fundit, lideri i AAK-së prishi raportet me Liderin e PDK-së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.

Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.

Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.

Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.