Telegrafi

Lekaj: Fajtor për 53 milionë eurot është Lutfi Zharku

Një fjalim të gjatë, si sqarim për 53 milionë eurot që i janë dhënë kompanisë “Bechtel Enka”, e ka mbajtur ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj.

Pal Lekaj  ka thënë se Kosova mund të shpëtonte nga kjo, por sipas tij, keqmenaxhimi i ish ministrit Lutfi Zharku, ka bërë që Kosova t’i humb milionat.

Ai ka shpjeguar se kjo ka ndodhur për shkak të zgjatjes së afatit, madje ky lloj dënimi do paguhet edhe me TVSH.

Madje, sipas tij, Kosovës po ia shpëton 5.5 milionë euro në muaj nga kjo kompani.

“Data e përfundimit të kontratës buxhetor është zgjatur nga 31 dhjetor deri në 1 qershor i vitit 2019 me shpenzime 0 %. Kjo siguron një mekanizëm ligjor për  të paguar Bechtel Enkan, duke u pajtuar me kompaninë dhe duke kursyer 5.5 milionë euro”, ka thënë ai.

Tha se “Bechtel Enka” nuk do të paraqet kërkesë në lidhje me mungesën e alokimit të buxhetit të vitit 2014 deri 2016 dhe se ministria përmes marrëveshjes po e ulë ekspozimin financiar dhe shpenzimet e qeverisë.

Lekaj, beson fuqishëm se kishte mundësi të shpëtohej nga ky dënim.

“Është fakt se kemi pranuar disa njoftime dhe përsërisë se ka qenë e mundur të zgjidhet kjo çështje nëse veprimet do të merreshin me kohë. Siç e dini me 1 korrik të vitit 2014 është nënshkruar kontrata”, ka thënë ai.

Foli edhe me emra.

Tha se keqmenaxhimi i ish ministrit ia humbi Kosovës milionat.

“Sikur të ishim të kujdesshëm, dhe të kishim një marrëveshje për zgjatjen e kontratës, ndoshta nuk do të bisedonim sot për 53 milionë euro por me to do të përfundonim shumë projekte tjera. Dhe, për një keqmenaxhim dhe moskujdesi të ish ministrit dhe duke e ditur me kë ka të bëjë e duke e ditur se kontrata është Ligj, kemi ardhur deri këtu”, ka thënë Lekaj.

Ndryshe, Qeveria ka miratuar kërkesën për kompensimin prej 53 milionë euro të konsorsiumit “Bechtel & Enka” për zgjatjen e kontratës për rrugën Prishtinë-Hani i Elezit. /KosovaPress