Site icon Telegrafi

Lejet online të ndërtimit, Gjermeni: Thjeshtojnë procedurat për investitorët

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka deklaruar se lejet elektronike ose “iLejet”, janë të rëndësishme në planifikimit e zhvillimit urban.

Duke folur në konferencën “Lejet online të ndërtimit”, Gjermeni tha se ky shërbim thjeshton procedurat për investitorët dhe qytetarët për lejet e ndërtimit

Sipas saj, ky aktivitet do të shërbejë edhe si një platformë për të intensifikuar marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.

“Shqipëria ka hyrë tashmë në një rrugë në fushën e planifikimit të zhvillimit urban që garanton mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Krijimi i sistemit elektronik, është një hallkë e domosdoshme pas nismave historike të ndërmarra në fushën e planifikimit. Është pjesë e platformës “iAlbania”. Ofrimi i këtij shërbimi, i cili thjeshtëson procedurat për investitorët dhe qytetarët, është bërë realitet që prej 20 prillit”, tha Gjermeni.

Ndërkohë, ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito tha se ky shërbim do të përshpejtojë edhe procesin e anëtarësimit të vendit në BE.

Sipas Haritos, rajoni ynë ka gjithçka që të bëhet pjesë e tregut unik dixhital dhe kjo shumë më shpejt se sa procesi i gjatë që do të na duhet të kalojmë për të arritur deri në anëtarësimin në BE.

“Bërja pjesë në këtë treg mund të përshpejtojë të gjithë procesin tonë të anëtarësimit. “iLejet” janë pjesë e një programi shumë të madh. Ky digjitalizim prek në radhë të parë bizneset, që nga regjistrimi i tyre, prokurimet publike, tatimet që kanë të gjitha procedurat online dhe një sërë shërbimesh të dedikuara për bizneset që kanë ndikim në treguesit e “Doing biznes për Shqipërinë”, theksoi Harito. /Telegrafi/

Exit mobile version