Statusi i qëndrimit të përkohshëm i të huajve në Zvicër ose leja e njohur më mirë si “Viza F”, duhej të hiqej, duke u zëvendësuar nga një status i ri, më i avancuar. Kështu së paku ishte kërkuar kohë më parë nga Dhoma Nacionale e Parlamentit të Zvicrës, njofton srf.ch.
Ndryshimin atëbotë e kishte mbështetur edhe Këshilli Federal (Qeveria) si dhe Bashkësia e Qyteteve të Zvicrës.
Por, Dhoma e Kantoneve (senati) e këtij Parlamenti sot ka marrë një vendim që kërkon të mbetet me të vjetrën sa i përket emërtimit të statusit në fjalë, transmeton albinfo.ch. Mirëpo, deputetët e kësaj dhome, me shumicë votash (36 pro, 5 kundër dhe 1 abstenim) kanë vendosur që thelbi i statusit megjithatë të ndryshojë, duke marrë masa që bartësit e “Vizës F” të kenë më shumë qasje në tregun e punës të Zvicrës.
Që kjo të mundësohet, nevojitet që Këshilli Federal të shqyrtojë mundësitë përkatëse në atë drejtim.
Fitimi i të ardhurave nga puna e bërë, është më i arsyeshëm se sa marrja e ndihmave sociale, kanë argumentuar shumica e deputetëve.
Mbetet të shqyrtohet lehtësimi i pengesave burokratike, si ndërrimi i kantonit të banimit, në rast të gjetjes së punës nga ana e bartësve të këtij statusi.
Të huajt me status të përkohshëm ose me “Vizë F” janë ata persona të cilëve nuk u është njohur statusi i refugjatit, gjegjësisht nuk u është dhënë “Viza B”, transmeton albinfo.ch. Por këta persona gjithashtu nuk mund të dëbohen në vendin e prejardhjes për shkak të gjendjes që mbretëron atje, luftës ose konflikteve.