Më 1 qershor në Kosovë ka hyrë në fuqi faza e tretë e lehtësimit të masave që janë vendosur për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në kuadër të lehtësimit të masave, qeveria në detyrë ka marrë vendim që të lejojë rihapjen e kafiterive, restoranteve dhe qendrave tregtare, por jo edhe të kinemave dhe teatrove ashtu siç ishte paraparë në këtë fazë.
Lidhur me këtë, Dëfrim Puka nga Cineplexx tha se janë në pritje të vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për hapjen e kinemave.
“Që nga vendosja e masave ne kemi qenë në pritje se çfarë do të ndodh me kinematë. Në njoftimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë ishte paraparë që hapje të ndodh në fazën e tretë, por që nuk ka ndodhur. Jemi në pritje të vendimit për datën e hapjes, ku pastaj do të bëhet përgatitja e sallave të kinemasë”, tha Puka për Telegrafin.
Ministria e Shëndetësisë kishte thënë se hapja e kinemave dhe teatrove do të bëhej në bazë të situatës epidemiologjike.
Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.
Aktualisht janë gjithsej 1,083 raste me COVID-19, me 843 të shëruar dhe 30 të vdekur. /Telegrafi/