Në vitin 2019 Peugeot njoftoi rikthimin e saj në Kampionatin Botëror të Qëndrueshmërisë dhe garën 24 orëshe të Le Mans në kategorinë e re të Hiperveturave. Prodhuesi francez i veturave e prezantoi 9X8-shin si pasardhës të veturave 905 dhe 908 me një grup komponentësh hibrid dhe fuqi maksimale prej 939 kuaj fuqi. Natyrisht, as nuk është duke u diskutuar prodhimi i një versioni rrugor i kësaj veture, por tani ka një mënyrë më të përballueshme për ta blerë veturën e Le Mans.
Peugeot ka bashkëpunuar me Lego-n për të krijuar hiperveturën hibride 9X8 Le Mans si pjesë e serisë Lego Technic. Është një kopje e detajuar 1:10 e veturës origjinale të garave, me një kopje precize të grupit të komponentëve hibrid dhe transmisionit me 7 shpejtësi. Disa veçori të tjera të dukshme përfshijnë komponentë të jashtëm të cilët ndriçojnë në errësirë, amortizatorë me funksion të plotë dhe një motor V6.
Vetura Lego Technic me 1,775 copëza ka një lartësi prej 13 centimetrave, gjerësi prej 22 centimetrave dhe gjatësi prej 50 centimetrave. Nuk është edhe aq e lirë, teksa çmimi i saj është 199.99 dollarë, por që është qindra herë më e lirë se vetura aktuale e garave, shkruan Motor1, përcjell Telegrafi.
“Bashkëpunimi ynë teknik me Lego Group filloi në janarin e vitit 2022, 5 muaj përpara prezantimit të Peugeot 9X8. U desh një vit për të zhvilluar plotësisht projektin me ekipet teknike dhe të projektimit, duke na lejuar të transpozojmë drejtpërdrejt detajet teknike të 9X8 në modelin Lego Technic”, tha Olivier Jansonnie, drejtor teknik i Peugeot Sport.
Ishte shumë e rëndësishme për të dy markat që të krijonin një model sa më realist”, shtoi tutje Olivier, duke hedhur kështu më shumë dritë mbi procesin e zhvillimit.
Vetura garuese Lego Technic u prezantua gjatë garës së Kampionatit Botëror të Evropës FIA në Portugali muajin e kaluar, ku makina e vërtetë doli në pistë si pjesë e përgatitjeve të Peugeot për kthimin e markës në Le Mans më 10 dhe 11 qershor të këtij viti. Modeli i shkallës Lego Technic do të jetë i disponueshëm për porosi përmes Lego Stores dhe rrjetit të tregtarëve të Peugeot nga 1 maji i këtij viti. /Telegrafi/