Legjislatura e gjashtë e Kuvendit po konsiderohet si “anemike”. Edhe pse sa i përket miratimi të ligjeve, kjo legjislaturë prin me numrin e ligjeve të miratuar.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), tha se që nga viti 2014, asnjë legjislaturë nuk ka miratuar 75 ligje, por që nëse vlerësohet përmbajtja e punës deputetët nuk kanë treguar seriozitet.
“Nëse flasim në aspektin numerik legjislatura e gjashtë ka qenë në disa aspekte më e mirë sesa të tjerat mirëpo këtu kemi të bëjmë vetëm me numra, d.m.th numrin e ligjeve të miratuara që vetëm gjatë viteve të kaluara Kuvendi kishte miratuar 75 ligje që është një shifër më e lartë sesa shifrat qysh nga viti 2014 mirëpo në anën tjetër nëse shohim përmbajtjen e punës atëherë ka qenë legjislaturë anemike, ka që legjislaturë që nuk ka pasur seriozitet”.
Sipas tij, mungesa e kuorumit ka bërë që të dështojnë numër i madh i seanca, ka bërë që kjo legjislaturë të jetë jofunksionale.
“Ka pasur probleme të mëdha politike në polarizim të skajshëm me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, mungesa të theksuara të kuorumit madje koalicioni qeverisës ka dështuar ta sigurojë edhe shumicën parlamentare të nevojshme për të shkuar përpara për të quar përpara edhe gjerat më të thjeshta ndaj nuk është se kjo legjislaturë ka funksionuar si duhet qysh nga fillimi e sidomos në këtë vit”, ka thënë Murati për EO.
“Në vitin 2019 është pasivizuar tej mase dhe kjo dëshmohet edhe me numrin e seancave të mbajtura ose me mbledhjet e komisioneve dhe dështimin e shumtë edhe të shpeshtë të mbledhjeve parlamentare, por edhe seancave plenare për shkak mungesës së kuorumit”.
Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e pranon se Kuvendi nuk ka përmbushur objektivat, kjo sipas tij, për shkak të neglizhencës dhe papërgjegjësisë së deputetëve.
“Unë them se Kuvendi nuk ka përmbushur mjaftueshëm objektivat e veta për shkak edhe të një bilanci që ka ekzistuar në votë sa i përket raportit pozitë-opozitë dhe shpeshherë në neglizhencë dhe e një papërgjegjësie prej deputetëve vet veç e veç, e që dikush ka kontribuar dobësimit të Parlamentit, prandaj qytetarët janë ata që vendosin se si duhet të jetë Parlamenti i ardhshëm i Kosovës”.
“Konsideroj që deputeti nuk është vetëm i partisë nga vjen, por është i qytetarëve të Kosovës në momentin kur merr mandatin dhe kur jep betimin se do të punojë për interesat e vendit, e kemi parë shpeshherë që deputetët në pjesën më të madhe te ne nuk e kanë kryer detyrën e vet me përgjegjësi të mjaftueshme”, theksoi Ahmeti.
Mospuna e Kuvendit, sipas tij, ka dëmtuar imazhin e vendit thotë Isufi.
“Jo sa duhet megjithatë ka qenë një Kuvend që të shpeshtën e herëve është penguar të punojë është neglizhuar si institucion, i cili ka peshën më të madhe në vend dhe kjo konsideroj se e ka dëmtuar pak imazhin e vendit”.
Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Xhelal Sveçla, kjo ka qenë njëra ndër legjislaturat më të dobëta të Kosovës.
“Kjo ka qenë njëra ndër legjislaturat më të dobëta të Kosovës, fatkeqësia është më e madhe kur dihet se proceset do të duhej të ishin ndryshe, një Kuvend me më shumë përvojë, një Kuvend me një përbërje më ndryshe fatkeqësisht kjo nuk ishe e udhëhequr jashtëzakonisht dobët dhe keq. Realisht plani legjislativ e ka plotësuar opozita me kërkesa për seanca të jashtëzakonshme e jo puna e pozitës ashtu siç edhe mundë të paramendohet në një shoqëri normale”.
Madje ai e konsideron këtë legjislaturë të dështuar, nga ai thotë se që shumica e iniciativave të kësaj legjislature nuk janë respektuar nga ekzekutivi dhe janë kthyer mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese.
“Absolutisht që kjo legjislaturë është e dështuar edhe për faktin që shumica e iniciativave të kësaj legjislature as nuk janë respektuar nga ekzekutivi në anën tjetër disa janë kthyer mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese, prurjet në aspektin pozitiv nga puna e Kuvendit janë jashtëzakonisht të vogla përveç që është një karakteristikë që në këtë legjislacion kemi pasur, një rol shtesë të mbikëqyrjes të ekzekutivit e kjo është e kjo është falë opozitës e assesi fal pozitës e cila edhe ashtu do të duhej të kishte instrumentet e mbikëqyrjes së ekzekutivit”, deklaroi Sveçla.
Për këtë periudhë Kuvendit ka mbajtur vetëm 10 seanca të rregullta dhe 17 seanca të jashtëzakonshme.