Se sa po i mungon Kosovës një kornizë e mirë ligjore për zgjedhjet, kjo pyetje që ka filluar të shtrohet çdo ditë e më shumë, ende nuk iu ka dhënë një përgjigje e merituar.
Një praktikë jo e mire, që po e përcjellë legjislacionin në përgjithësi, është mosharmonizimi i ligjeve, të cilat kur prekin fushat e përbashkëta krijohet një diskrepancë e theksuar si në strukturën normative dhe në ndarjen e qartë të përgjegjësive të institucioneve.
Legjislacioni aktual për zgjedhjet, i cili është piketuar nga ekspertë ligjorë si fusha më e “rrëshqitshme” për krijimin e mëdyshjeve brenda kontekstit të dispozitave dhe efekteve juridike që prodhojnë ato, po na detyron që pas dhjetë vite “heshtje”, ta kthejmë më shumë shikimin e më pak vëmendjen për t’iu përkushtuar më seriozisht disa kritereve se si mund të iniciohej reforma zgjedhore:
E para të shqyrtohet mirë legjislacioni ekzistues për zgjedhje, të identifikohen sfidat që krijohen prej tij në praktikën juridike, të nis një proces i reformimit, i cili sërish do të duhej të kishte parasysh një varg konditash për ta ngrehur një legjislaturë të qëndrueshme, që ka përafri me legjislacionet e atyre vendeve në rajon dhe i përmbush një numër të domosdoshëm të standardeve me legjislacionin evropian.
Praktika e veprimit të gjertanishëm, në ndryshim-plotësimin e legjislacionit për zgjedhje, fillo të “arnosh” dhe pastaj shiko se cilët mund të jenë hapat tjerë, nuk është treguar metodologji e suksesshme, bile nganjëherë ka thelluar konfuzitetin në strukturën normative të legjislacionit për zgjedhje.
Për të pasur legjislacion të kompletuar dhe të harmonizuar si duhet, kërkohet kohë e mjaftueshme, e cila fillimisht imponon hapje të debatit në nivele më të gjëra të institucioneve dhe shoqërisë civile, ku zbërthehet në plotëni objekti i trajtimit; formohen dy-tre grupe profesionale në nivel ekspertësh, të cilët marrin obligime që të përcaktojnë shtyllat kryesore që e mbulojnë këtë fushë.
Vitin e kaluar, sa pat filluar ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet, rrethanat politike ishin të atilla, që quan në zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe kjo punë mbeti e papërfunduar në gjysmë të rrugës. Ndërkohë, në pjesën e fundit të vitit 2010, vjen e zë vend Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, të cilit çdo ditë e më shumë po i vërehen të metat dhe mangësitë, që gjatë zbatimit do të ketë vështirësi, që organet kompetente t’i përmbushin obligimet që dalin prej tij.
Një varg të metash që ende pa u zbatuar Ligji për Financimin e Subjekteve Politike, janë thënë për opinionin, që të mund të shërbejnë sadopak në lehtësimin e punës së hartuesve, duke shqyrtuar mundësinë e amendamentimit në të ardhmen e afërt, për t’i saktësuar shumë çështje në dispozitat e tij, për të hequr apo shtuar ndonjë kapitull, sidomos që ka të bëjë me Fondin për mbështetjen e Subjekteve Politike, të përfshihen shpenzimet për organizimin e zgjedhjeve në nivel lokal për kryetarë të komunave, të përcaktohet qartë korniza e sanksionimit, e drejta e ankesës, kriteret për ndarjen e mjeteve, të cilat nuk përshtaten sa duhet me sistemin proporcional në Kosovë, dhe të bëhen krahasime të mjaftueshme me legjislacionet e vendeve fqinjë dhe më gjerë.
Zakonisht reformat zgjedhore fillojnë të ndodhin në ato periudha, kur shoqëria ka konsoliduar mirë institucionet, dhe ka hy në një fazë të qëndrueshme të stabilitetit politik; ekziston një distancë kohore para vetes për ta përfunduar me sukses projektin e reformave zgjedhore, i cili do të ketë një kohezion brenda një cikli kohor.
Të gjykosh për ndikim të rrethanave aktuale politike në Kosovë, në reformën zgjedhore, dhe anasjelltas, të krijohet përshtypja, se sa herë mund të filloj një iniciativë e tillë tepër e nevojshme dhe me prioritet, sikur vijmë shpejt para situatave që të kemi zgjedhje në nivel lokal apo qendror, i ngatërrojmë ato që janë të jashtëzakonshme dhe nuk i dallojmë mirë me zgjedhjet e parakohshme.
Reforma padyshim do të duhej të prekte ndryshimin e sistemit zgjedhor, përshtatshmërinë e tij me një varg kushtesh specifike në të cilat ndërtohet shteti i Kosovës, duke rishqyrtuar “paketën” me shumë “vrima” të Ahtisarit dhe nevojën që të ndryshohet akti më i lartë juridik i vendit – Kushtetuta.
Kjo gjendje e tillë se çfarë është tani, me të drejtë po vlerësohet, se është pasojë e mungesës së një legjislacioni të qëndrueshëm zgjedhor, i cili vazhdon të ketë efekte destabilizuese në sistemin politik.
(Autori është zyrtar i lartë ligjor në Zyrën për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim)