Legjenda e basketbollit amerikan, Magic Johnson bëhet pjesë e Los Angeles Lakers.
Pesë herë kampioni i NBA me skuadrën kaliforniane në vitet ’80 u emërua në rolin e presidentit të basketbollit operacional të LA Lakers.
Por ardhja në bordin drejtues të Lakers të Magic Johnson nuk është hapi i vetëm i ndërmarrë nga guvernatori i kësaj skuadre, Jeanie Buss. Ky i fundit vendosi që të shkarkojë nga detyra drejtorin e Përgjithshëm, Mitch Kupchak, dhe vëllain e tij Jim, që ishte në rolin e zv.presidentit të basketbollit operacional.
Lakers, që javën e kaluar ishte përfshirë në listën e “Forbes” si një prej skuadrave më të pasura me 3 miliardë dollarë, është në momentin më delikat në historinë e saj. Kalifornianët nuk luajnë në fazën e “play-off”-eve në NBA që nga viti 2013, e këtë sezon është në vendin e parafundit në Konferencën e Perëndimit me 19 fitore dhe 39 humbje.
Tani skuadra e Los Angeles kërkon ndihmën e Magic Johnson, i cili në vitin 1991 e mbylli karrierën e tij si basketbollist pikërisht te kjo skuadër, pasi mësoi se bartte virusin HIV/AIDS. Johnson, i cili në vitin 1996 u rikthye për një kohë të shkurtër në NBA, është një prej përfaqësuesve të një grupi sipërmarrësish që blenë skuadrën e bejsbollit, LA Dodgers, për 2 miliardë dollarë në vitin 2012.
Në të njëjtën kohë, ky grup ka mundur të marrë në pronësi edhe skuadrën e futbollit Los Angeles FC dhe atë të basketbollit të femrave, Los Angeles Sparks. /TCh/