Qyteti brazilian Chapeca, shtëpia e klubit Chapecoense – lojtarët e të cilit të hënën vdiqën tragjikisht teksa aeroplani i tyre u rrëzua në Kolumbi – ua dha lamtumirën e fundit lojtarëve që ndërruan jetë në këtë aksident.
Kthimi i trupave të pajetë u përcoll me shi, ku dukej se edhe Zoti nuk mbante lotët nga dhimbja, por kjo nuk i ndaloi mbi 100.000 qytetarë të dalin në rrugët e qytetit për t’ua dhënë lamtumirën e fundit.
Kjo do thotë se gjysma e popullsisë së qytetit doli në rrugë, teksa 20.000 ishin tashmë në stadium, aq sa është edhe kapaciteti maksimal i stadiumit Arena Conda.
Arkivolet e lojtarëve u transportuan dhe pastaj u mbajtën në krahë nga ushtarët të cilët dukeshin po ashtu të prekur emocionalisht nga kjo tragjedi.
Trupat e pajetë u kthyen pasi autoritet kolumbiane konstatuan se piloti bolivian Miguel Quiroga gënjeu teksa tha se nuk kishte karburant të mjaftueshëm për t’u lëshuar në pistën e aeroportin dhe kështu shkaktoi vdekjen e 71 personave.
Qyteti i vogël mbajti një funeral të madh për nder të heronjve të tyre, të cilët vdiqën teksa po udhëtonin për ndeshjen më të madhe në histori të klubit, atë kundër Medellin Atletico Nacional për finalen e Kupës së Amerikës së Jugut.
Të lagur nga shiu, të lodhur nga dhimbja shpirtërore, sytë e skuqur nga vajtimi ishin panorama në shkallët e stërmbushura të stadiumit.
“Kemi qenë në stadium për çdo ndeshje, në shi dhe diell. Ëndrra jonë më në fund u bë realitet, ishte aq afër, saqë nuk mund ta shpjegoj”, ka thënë tifozi Rui Alonso Thomashe, i cili kishte ardhur në stadium së bashku me të bijën dhjetë vjeçare.
“Chapecos do t’i duhet kohë ta kalojë këtë, por unë do të vazhdoj të vij në stadium”, shtoi Alonso.
“Erdha të jap nderimin e fundit për skuadrën tonë, ende nuk mund të besoj që ka ndodhur”, ka thënë tifozi Alexandre Bledin.
“Kam ardhur në stadium që nga mëngjesi”, ka thënë tifozi 19-vjeçar Chaiane Lorenzetti, i cili tha se punonte në një supermarket lokal që lojtarët dhe zyrtarët e klubit e vizitonin shpesh.
“Nuk do të shoh kurrë më disa nga klientët e mi. Është një ditë shkatërruese që do të zgjasë përgjithmonë për ne”.
Në stadiumin Arena Conda në Chapeco, arkivolet qëndruan në fushë për tre orë për përkujtim.
Një tendë u vendos në fushën e stadiumit dhe në krye të saj u shkrua një fjali nga himni i skuadrës që të gjithë ta lexonin.
“Në lumturi dhe në orët më të vështira, ju jeni gjithmonë fitues”.
Në tendë ishin rreth 2.000 familjarë dhe miq të cilët mund të bënin homazhe, teksa përkraheshin që të qëndronin të fortë nga tifozët në tribuna.
Në fund presidenti i klubit, Ivan Tozzo, u premtoi tifozëve se do ta ringrejë skuadrën, ndërsa fjalët e fundit të tij ishin: “Ky ekip na mësoi se gjithçka është e mundur. Ne jemi Chapecoense”.
“Chapecoense udhëtoi në Medellin me një ëndërr dhe u larguan si legjenda. Legjendat nuk vdesin”, shkroi Atletico Nacional në faqen e tyre, që duhet të ishte kundërshtari i radhës i Chapecoenses.
Në stadium ishin edhe trajneri i Kombëtares së Brazilit, Tite dhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Është kohë për të vuajtur dhe jo për të folur, asnjë fjalë nuk mund të zvogëlojë vuajtjet”, ka thënë Infantio.
Autoritet Boliviane janë të sigurt tashmë se rrëzimi nuk ka ndodhur nga mungesa e karburantit, por hetimet janë duke vazhduar pasi ka shumë pyetje që duhet përgjigjur, si për shembull: Pse aeroplani humbi gjithë energjinë teksa ishte gjashtë mijë metra mbi tokë?
Vlen të theksohet se në këtë aksident vdiqën 71 persona dhe vetëm gjashtë shpëtuan. /Telegrafi/