Mirlind Daku ka bërë një debutim të jashtëzakonshëm në kampionatin rus me fanellën e Rubin Kazan.
Sulmuesi gjilanas shënoi një gol dhe asistoi në një tjetër në barazimin që Rubin Kazan e mori në udhëtim te Lokomotiva e Moskës 2-2.
E paraqitja fantastike e Dakut i ka lënë përshtypje edhe legjendës ruse Andrej Arshavin i cili nuk i ka kursyer lëvdatat për sulmuesin gjilanas.
Ish-futbollisti i Arsenalit, Andrey Arshavin, në një dialog me agjentin Timur Gurtskaya në një emision rus, ka shprehur mendimin e tij për Mirlind Dakun.
Gurtskaya e pyet ish-kapitenin e Përfaqësueses ruse se çfarë mund të thotë për Dakun dhe Arshavin filloi me lëvdatat e tij.
“Unë mendoj se Daku do të lëvizë në dimër ose më së largu në verën e ardhshme”, tha Arshavin, derisa Gurtskaya e pyeti: Ku? Në Zeni?.
“Jo, në top pesë ligat evropiane. Daku bëri gjithçka mirë qysh në ndeshjen e parë dhe jam i sigurt se do të bëj gjëra të mëdha”, tha ndër të tjera Arshavin.
Rubin Kazan shpenzoi 1.5 milion euro për të transferuar Dakun nga Osijek që kishte kartonin e sulmuesit.
Daku ka luajtur ndeshje miqësore me Përfaqësuesen e Kosovës, teksa së fundmi ka marrë pasaportën shqiptare dhe në shtator mund të zgjedhë nëse do të luaj për Dardanët apo për kuqezinjtë. /Telegrafi/