Policia e Georgias ka nisur një hetim pasi legjenda e WWE, Marty Jannetty, ka bërë një rrëfim për vrasje përmes një postimi në Facebook.
60-vjeçari, i cili u bë i famshëm në vitet e tetëdhjeta, në publikimin e tij ka thënë se në moshën 13-vjeçare, kishte bërë që “një njeri të zhdukej”.
Ai ka treguar për një marrëveshje droge që kishte shkuar dhe i ka këshilluar autoritetet që ta kërkojnë të vrarin në një lumë.
Njëherësh ish-ylli i mundjes spektakolare ka thënë se kjo ka qenë hera e parë kur e kishte bërë dikë që të zhdukej.
“Isha 13 vjeçar duke punuar në rrugicën e boulingut Victory Lanes dhe blija marihuanë nga një punonjës atje… dhe ai më kapi… më tërhoqi prapa ndërtesës… e dini se çfarë do të përpiqej të më bënte”.
“Kjo ishte hera e parë kur e bëra një njeri të zhdukej… nuk e gjetën kurrë… është dashur të kërkonin në lumin Chattahoochee”, ka shkruar Jannetty duke shtuar se e ka mbajtur të fshehtë këtë incident me dekada, ndërsa më pas e ka fshirë postimin.
Departamenti i Policisë në Columbus të Georgias ka thënë për TMZ se kanë nisur hetim lidhur me rrëfimin e tij, sipas të cilat, ngjarja duhet të ketë ndodhur në vitin 1973. /Telegrafi/