Site icon Telegrafi

Legjenda e UFC-së në gjendje kritike, i shpëtoi prindërit nga zjarri i madh dhe tani po lufton me vdekjen

Legjenda absolute e MMA dhe Salla e Famave të UFC, Mark Coleman u dërgua me urgjencë në spital dhe u vendos në koma të shkaktuar pasi shpëtoi prindërit e tij nga një zjarr.

Coleman, 59 vjeç, përfundoi në koma të shkaktuar dhe në kujdes intensiv pasi shpëtoi prindërit e tij nga një zjarr në shtëpi në Toledo (SHBA) herët të martën. Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i tij.

Zjarri ka ndodhur rreth katër të mëngjesit kur Coleman u zgjua nga lehja e qenit të familjes. Luftëtari i famshëm shpëtoi babanë dhe më pas nënën e tij nga shtëpia e djegur. Zjarri ka rënë në kuzhinë.

Fatkeqësisht, qeni Hammer, i cili ishte përgjegjës për shpëtimin e familjes, vdiq. Nuk dihet nëse Coleman është shembur brenda apo jashtë shtëpisë, por bëhet e ditur se ai është mbytur nga tymi dhe kjo është arsyeja që është shtruar në spital.

Menaxheri i tij Michael DiSabato zbuloi se Coleman u dërgua me urgjencë në spital me helikopter. Prindërit e tij nuk u plagosën rëndë dhe vajza Morgan Coleman tha se babai i saj po lufton për jetën e tij.

“Faleminderit Zotit ne jemi të gjithë gjallë, ne po lutemi për Markun. Faleminderit të gjithë zjarrfikësve dhe departamentit të sherifit,” tha nëna e Coleman, Connie Foos.

Nga rruga, Coleman hyri në Sallën e Famës së UFC dhe u bë kampion i peshave të rënda. Ndër sukseset e tij spikat çmimi i madh i Krenarisë në vitin 2000, të cilin e fitoi. /Telegrafi/ 

Exit mobile version