Site icon Telegrafi

Legjenda e shqiptarit!

Ilustrim

Nuk është e largët koha kur mediat shkruan se një milion të rinj shqiptarë nuk kanë lexuar asnjë libër, 900 mijë nuk dinë asnjë gjuhë të huaj, 50 gazetarë janë kërcënuar dhe kanë kërkuar azil politik, 360 mijë shqiptarë kanë aplikuar për lotarinë amerikane … Revolucioni nuk vdes edhe kur thonë se vdiq, e kështu lajmet e vjetshme që duken sikur janë edhe të sivjetshme, por që do të jenë pothuajse njëlloj edhe vitin që vjen për shqiptarët, na shkoqisin çdo arsye pse duam t’i ikim vendit dhe shtetit tonë.

Interesante është se ne, edhe kur ikim diku jashtë, nuk themi po iki jashtë vendit. Ne të gjithë themi po iki jashtë shtetit. Pra, raportin me vendin e kemi të paeksploruar, madje të paqenësishëm fare. Rritemi me ninulla, këngë e urime që të bëhemi trima e disa ndër ne përfundojmë ose kaçakë ose ikanakë. Shumica mbetet pezull në kërkim të shtetit. Kaçakët bëhen udhëheqës, ndërsa ikanakët mbathin nga sytë këmbët dhe mësojnë ta duan e përmallen për atdheun nga larg prej jashtë shtetit. Shumica e mbetur pezull endet e tirret si pëlhurë Penelope nën fabulën se kaçakët e radhës që kanë ardhur në pushtet, po na bëjnë shtet ose nën alarmin e kaçakëve mëtonjës të pushtetit, të cilët u bien tupanëve të luftës se ata që po qeverisin nuk po bëjnë shtet, por narkoshtet apo bandoshtet.

Shqiptari i mbajtur pezull brenda shtetit shtrydhet e shkundet pa pikën e mëshirës nga pala e kaçakëve që thonë se po bëjnë shtet dhe pala tjetër që thonë se do bëjnë revolucion kundër narkoshtetit. Shkurt, ne mbetemi ende nën mendësinë komuniste se shteti është edhe Shpëtimi edhe Ndëshkimi, edhe Zoti edhe Djalli. Alternativa qeverisjeje nuk ka. Ka vetëm shtetbërës në pushtet dhe opozitarë revolucionarë “kundër narkoshtetit”. Të dyja alternativat janë për shtetin shpëtimtar ose kundër shtetit ndëshkimtar. Kjo sjell vetvetiu ose frikë nga shteti, ose rebelim ndaj shtetit a fshehje ndaj shtetit, ose ikje prej shtetit. Ballafaqohen vetëm modele mbi shtetin e nuk ka asfare konkurrencë për alternativa qeverisjeje.

Thelbi qëndron te kurthi logjik, ku Regjimi 3-Partiak i Klubit të Plaçkaxhinjve na ka plandosur që ditën e parë që menduam se themeluam demokracinë. Ngase menduam se sfida jonë ishte të ndërtonim një shtet demokratik e të së drejtës si kundërvënia më e qartë ndaj shtetit diktatorial e totalitarist, ne harruam e nëpërkëmbëm faktin se demokracia e ka fuqinë jo te shteti por tek alternativat që konkurrojnë me njëra-tjetrën. E fetishizuam aq shumë shtetin dhe shtetbërjen saqë partitë kryesore i ndajmë në parti që dinë të bëjnë shtet dhe në parti që nuk dinë të bëjnë shtet. Paradoksi ku ngecëm është fatal, sepse ose jemi me ata që bëjnë shtet, ose me ata antishtet, ose ikim nga ky shtet…

Kush mbetet pa njërën nga këto tri alternativa është thjeshtësisht “i shkretë”. Para pak ditësh në Vlorë dëgjova një zotni që ndërsa këndohej kënga “Xhamadani vija-vija”, ngjirej teksa zëvendësonte fjalët e saj e thoshte: “Xhamadani vija-vija, është Kosova është Shqipëria, rreh si zemër çiftelia, oh sa e madhe o është tepsia …”.

E pyes zotninë: “Pse Tepsia e jo Shqipëria”? Ma kthen: “Kështu na ka mësuar Edi Rama”. U mendova një hop dhe e kuptova se vetvetiu ndërlidhja apo deduksioni e kishte bërë përsosmërisht tek ai zotnia, lodrimin e imagjinatës nga Shqipëria tek tepsia. Pra, kur për çdo shqiptar Shqipëria është Shteti, e kur për Edi Ramën e çdo kaçak-udhëheqës shteti është tepsia, me rregull treshi i bie që për atë zotninë e ndoshta për të gjithë ne, Shqipëria është tepsia. Me pak fjalë, ne bëhemi militantë apo kaçakë partie që të fillojmë punë në shtet sepse kështu jemi në tepsi. Kush është jashtë tepsie është i/e mjerë, qyqar/e, mjeran/e. Për çfarë të na duhen librat apo gjuhët e huaja kur në vendin tonë ku ne nuk kemi vend, shtigjet janë kaq të pakta e kaq të ngushta. Ne ose jemi në tepsi, ose jashtë tepsie, ose jashtë shtetit fare. Kush është në tepsi, nuk ka pse lexon libra a studion, a mëson gjuhë të huaja, sepse mjafton të jetë plaçkëbërës me nam, e gjithçka i shkon fjollë, madje konsiderohet pari, elitar, mondan, model.

Kush është jashtë tepsie, pi kënetën, me shpresën se kështu do t’i mbarojë uji. Të gjithë jashtëtepsinorët janë ose opozitarë radikalë antishtet, ose aplikantë lotarie amerikane, apo kërkues mundësie për të ikur nga Shqipëria një orë e më parë. Këtu fillon edhe problemi më serioz që ka opozita revolucionare, sepse mes shtigjeve ku ka mbetur shoqëria shqiptare, opozita PD (Rithemelimi) – PL, plus përrethnorë, ose do të mobilizojë e thërrasë në revolucion jashtëtepsinorët e saj duke u premtuar se në fund të betejës ose do marrin gjithë tepsinë, ose do arrijnë të imponohen për bashkëqeverisje të tepsisë. Alternativën e kthesës së madhe kulturore, zgjimit të madh, ngjizjes, lindjes e ushqimit të shpresës, opozita e sotme PD (Rithemelimi) – LSI plus përrethnorë, as që e sheh si mundësi. Po të zgjedhë alternativën e kthesës dhe përmbysjes kulturore, kësaj opozite do t’i duhet të ndajë pushtet me më të mirët e kësaj shoqërie. Por jo, këta nuk e duan këta.

Janë mësuar të ndajnë pushtet e tepsi me gjithë kaçakët dhe plaçkëbërësit, e as që u shkon ndërmend ta bëjnë këtë gjë me më të mirët. Sepse ditën që do ndajnë pushtet me më të mirët, Shqipëria nuk do të jetë më tepsi, por vendi ynë, vendi i të gjithëve, atdheu që duhet e do ta bëjmë më të mirë e më të drejtë për të gjithë.

Mendoj se statistikat që shpërndaheshin jo larg në kohë nga INSTAT e mediat tona, për 1 milion moslexuesit, 900 mijë mosnjohësit e gjuhëve të huaja, 360 mijë aplikantët e lotarisë amerikane, 50 gazetarët e kërcënuar dhe azilkërkues, nuk janë aspak dramatike. Janë vetëm fotografia lakuriqe e L’America ku ne jetojmë. Giani Amelion e mallkuam pse bëri një film ku ne shfaqeshim si ishim. Nuk kemi pse të shajmë fotografinë kot, kur këto statistika janë vetëm simptoma natyrale të një shoqërie që vendin e ka shtet e shtetin tepsi. Në të tilla shoqëri qytetari ndihet i pavend e sigurisht i pashpresë. Detyra jonë, e politikanëve të rinj e të papërlyer, intelektualëve, akademikëve, shpirtrave të lirë dhe guximtarë, e domosdo edhe e opozitës është që këtyre qytetarëve t’u japim vendin që u takon. Vendi fitohet e ndërtohet me më të mirët, jo me kaçakëri e kaqola revolucionarë. Vetëm bashkimi i më të mirëve e bën Shqipërinë vendin dhe atdheun e drejtë të të gjithëve. Përndryshe do të jetojmë e dëshpërohemi me statistika, që në fakt do të na shërbejnë veç si (statis t’ika) shtet t’ika…

 

 

Exit mobile version