Ish-rivali i Michael Schumacher, Damon Hill ka folur për marrëdhënien e tij me legjendën e Formula 1, i cili u përfshi në një aksident tragjik në ski në vitin 2013.
Dyshja ishin rivalë në fillim të viteve ’90-ta, me gjermanin që po rivalizohej nga Hill për të fituar dy titujt e tij të parë botërorë në 1994 dhe 1995 përpara se ky i fundit të triumfonte më në fund në 1996. Megjithatë, larg pistës ata të dy nuk ishin aspak afër – diçka Hill ka pranuar se është penduar.
Ndërsa punonte si ekspert për transmetuesin australian Network 10 në Çmimin e Madh të Australisë, ai u pyet nëse kishte mbajtur kontakte me Schumacher përpara aksidentit të tij në ski.
“Jo, jo me të vërtetë,” u përgjigj Hill. “Unë nuk kisha shumë kontakt me Michael, jo për ndonjë arsye tjetër. Unë u tërhoqa nga gara dhe ai ishte ende duke garuar. Dhe kur ne po garonim ne ishim rivalë”.
“Unë nuk mendoj se ai ishte vërtet i interesuar për të vazhduar ndonjë lidhje. Është turp. Do të doja ta kisha njohur më mirë. Është shumë e keqe ajo që i ndodhi Michael”, ka shtuar më tej ai.
Në një intervistë të veçantë me news.com.au, ai shtoi: “Çfarëdo që ka ndodhur në sport, është thjesht sport. Dhe ajo që ndodhi me Michael është thjesht tronditëse dhe e tmerrshme”.
“Është e qartë se është vërtet shumë e vështirë për familjen e tij dhe gjithashtu për të. Kjo është një tragjedi njerëzore dhe çfarëdo që ka ndodhur në pistë është e vogël në krahasim me gjëra të tilla”, ka potencuar më tej Hill.
Pak detaje janë bërë publike për gjendjen e Schumacher, ku 54-vjeçari kërkon kujdes të vazhdueshëm pasi pësoi një lëndim të rëndë në kokë kur goditi një gur teksa bënte ski në Francë. /Telegrafi/