Mbrojtësi i majtë spanjoll Marc Cucurella mbërriti në Chelsea nga Brighton për 65 milionë euro në gusht të vitit të kaluar.
Cucurella nuk ka arritur të imponohet si përforcim edhe pse u ble për kaq shumë para, ndaj më shumë mbahen mend gabimet e shumta që ka bërë sesa lojërat e mira.
Legjenda e Chelseat dhe ish-kampioni i botës dhe Evropës me Francën, Frank Leboeuf nuk mund ta besojë se ish-klubi i tij ka paguar kaq shumë para për një lojtar që ai thotë se nuk është i nivelit të Ligës Premier.
“Shpresoj që Reece James dhe Ben Chilwell të shërohen dhe të fitojnë formë sa më shpejt të jetë e mundur sepse ne kemi nevojë për ta. Askush nuk dëshiron të shikojë më Cucurella”.
“Me respekt për të, sepse unë nuk e njoh atë, Cucurella nuk është një lojtar mjaft i mirë për Chelsean. Është shumë e thjeshtë. Është çmenduri që i kanë paguar 60-70 milionë. Të gjithë e shohin që ai nuk është lojtar i këtij niveli futbolli”, ka thënë francezi.
Cucurella filloi në ekipet e të rinjve të Espanyol, por shumë shpejt ai ra në sy nga Barcelona dhe u bë pjesë e La Masias së famshme.
Por ai kurrë nuk pati një shans real, kështu që shkoi në Eibar dhe Getafe, nga ku shkoi në Brighton për 18 milionë euro. /Telegrafi/