Vitali Klitschko i ka kërkuar Gjermanisë ndihmë për të luftuar kërcënimet e pushtimit nga Vladimir Putin.
Legjenda e boksit ka dhënë një interviste për Bild, ku ka thënë se për Ukrainën është i gatshëm ta japë edhe jetën.
“Ne po përgatitemi në të gjithë Ukrainën me bindjen se presidenti rus Vladimir Putin do ta japë urdhrin e luftës. Si ushtar, dikur jam betuar ta mbroj vendin dhe tani jam gati të luftoj për atdheun”, ka thënë Klitschko, i cili ndërkohë e kërkoi ndihmën e vendeve anëtare të BE-së që ta ndalin Rusinë para se të bëhet vonë.
Në qytetin e tij, ai theksoi përpjekjet për të rritur numrin e rezervave ushtarake, si dhe për të rritur mbrojtjen civile.
Por, ai shtoi se nuk mund të pritet që Ukraina të veprojë e vetme.
Klitschko shkroi: “Çfarë duhet të kuptojë Gjermania: Situata është shumë, shumë serioze!”.
“Në Ukrainë ne kemi nevojë urgjente: mbështetje ndërkombëtare dhe ndihmë ushtarake”.
“Nuk mund të ndodhë që Gjermania të mos miratojë vendimin e NATO-s për dërgimin e armëve mbrojtëse në Ukrainë! Qeveria e re Federale duhet të kuptojë se ndihmat nuk kanë qenë kurrë kaq të rëndësishme për vendin tonë”.
“Ukraina është në qendër të Evropës! Në kufi me disa vende të BE-së”, ka shtuar më tej ai.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 paralajmëruan Rusinë gjatë fundjavës se do të kishte “pasoja masive” nëse ajo pushton Ukrainën. /Telegrafi/