Futbollisti legjendar i Bayern Munichut, Giovane Elber ka një emër ndryshe nga ai me të cilin e kujtojnë të gjithë dashamirësit e gjësë dytësore më të rëndësishme në botë, futbollit.
Giovane Elber në fakt nuk quhet kështu pasi emri i tij i vërtetë është Elber de Souza dhe ai mori pseudonimin Giovane kur luante në Itali.
Nga viti 1990 deri në vitin 1991, braziliani ishte anëtar i Milanit, që ishte ndalesa e tij e parë në Evropë dhe megjithëse nuk luajti asnjë ndeshje për kuqezinjtë, ai mori një pseudonim që do ta ndjekë gjatë gjithë jetës së tij.
Në Milano, mediat lokale i dhanë pseudonimin Giovane, që do të thotë “i ri” dhe ky pseudonim ka mbetur edhe sot e kësaj dite – Giovane Elber (Elber i ri).
Ndryshe nga Milani ku ai nuk luajti asnjë ndeshje të vetme konkurruese, gjërat ishin shumë më mirë për të në Zvicër ku luajti për Grasshoppers.
Ai shënoi 41 gola në 69 ndeshje dhe mori rekomandimin më të mirë të mundshëm për të shkuar në Bundesligë, ku luajti për Shtutgartin dhe Bayernin, me të cilët ndër të tjera fitoi katër tituj kampion gjerman dhe Ligën e Kampionëve.
Te Bavarezët ai pati karrierë të shkëlqyeshme, ku zhvilloi plot 266 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar 139 gola.
Elber arriti të luajë 15 ndeshje për kombëtaren braziliane dhe të shënojë shtatë gola. /Telegrafi/