Telegrafi

Leeds i shënon ‘gol të ndytë’ Aston Villës derisa kishin një lojtar të lënduar, Bielsa urdhëron futbollistët e tij t’ia lëshojnë një gol pasi u krijua një ‘përleshje’ e madhe

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kategorinë e dytë të futbollit anglez i njohur ndryshe si Championship.  

Leeds United dhe Aston Villa kanë luajtur mes vete në pasditen e sotme (e diel) në kuadër të javës së 45-të në Championship, ndeshja e cila përfundoi baras 1-1.

Megjithatë, në këtë sfidë ka ndodhur diçka e pazakontë në futbollin modern.

Fillimisht lojtarët vendas të Leedsit nuk kanë respektuar rregullat e ‘fair-play’ duke shënuar gol kur mysafirët kishin një futbollist të shtrirë në fushë shkaku i lëndimit.

Ky gol i Leedsit erdhi në minutën e 72-të nga Mateusz Klich dhe pas këtij goli u krijua një tollovie e madhe, ku futbollistët u përleshen mes vete.

Shkaku i kësaj, gjyqtari i ndeshjes u detyrua ta ndëshkoj me kartonë të kuq lojtarin e Aston Villës, Anwar El-Ghazi, ndërsa edhe dy futbollistë tjera u ndëshkuan me të verdhë.

Goli i vendasve krijoi shumë polemika në taborin e të dyja skuadrat derisa trajneri i Leedsit, Marcelo Bielsa detyroi lojtarët e tij t’ia lëshojnë një gol Aston Villës.

Me të nisur topin nga mesi i fushës, një lojtar i mysafirëve shkoi deri te porta e Leedsit duke shënuar i papenguar golin e barazimit 1-1 dhe me këtë rezultat përfundoi ndeshja. /Telegrafi/