Telegrafi

Ledri Vula me tjetër rekord në Hangover, e bën #GjikiChallenge bashkë me mijëra adhurues në Gjakovë

Hip hop superylli, Ledri Vula, ka dëshmuar se as prezenca e artistëve ndërkombëtarë gjatë kësaj vere nuk ka prekur primatin e tij si reperi më i kërkuar dhe me turneun më të suksesshëm.

Pas plot katër këngëve të publikuara, të gjitha hite të cilat dolën nga shtëpia e hiteve, RedBox, Ledri Vula ka shijuar një turne të jashtëzakonshëm.

Së pari vuri rekord më 29 korrik duke eklipsuar rekordin personal të vënë me Era Istrefin pikërisht në të njëjtin vend në Hangover, që është edhe skena më e madhe në ambient të hapur në vend.

U mendua se prezenca e Azet bëri që ky rekord i Ledrit të lihej prapa, por sërish reperi shqiptar tregoi se në Gjakovë është sikur në shtëpinë e tij duke dominuar në secilën paraqitje ku edhe kësaj radhe ishin mijëra të pranishëm, si asnjëherë gjatë kësaj vere.

Ledri performoi hitet e tij më të mëdha, të cilat i performoi me ndihmën e publikut që një zëri këndoi me të.

Edhe pse kësaj radhe nuk i hodhën veshje intime në skenë, Ledri u sigurua që të rrëmbejë vëmendjen me vallëzimin #GjikiChallenge.

“Keni dëgjuar për #KikiChallenge? Unë e di një këngë që ka dhezë edhe më shumë”, u shpreh reperi para se të bënte vallëzimin më të famshëm të kësaj vere, #GjikiChallenge nga kënga “Si Buggatti”.

“Gjiko mi ka 5 euro borxh”, shtoi me shaka Ledri pas interpretimit të “Si Bugatti”, teksa vazhdoi edhe me interpretimin e “Makiato” nga Lumi B.

Spektakli i Ledrit u shoqërua me efekte speciale, në një prej paraqitjeve që konfirmon dominimin e tij dhe turneun e mrekullueshëm pas disa këngëve të suksesshme të lansuara me RedBox.

Ky është po ashtu një prej shou të fundit në Hangover, që mbyll verën të martën me Dafina Zeqirin, Genën dhe Lumi B. /Telegrafi/