Telegrafi

LeBron vazhdon shkëlqimin, Lakers marrin fitore befasuese në udhëtim te Sacramento Kings

Los Angeles Lakers kanë marrë fitoren e pestë radhazi në elitën e basketbollit amerikan NBA.

Edhe pse Sacramento Kings ishte favorit i madh në letër, Lakers kanë arritur të shkaktojnë befasi duke triumfuar me dy pikë diferencë, 134:136.

Ishte fundori gjerman Dennis Schroder që realizoi dy pikët e fundit nga gjuajtja e lirë për t’i dhënë triumfin skuadrës nga Los Angelesi.

Ka qenë një ndeshje shumë e baraspeshuar me dy skuadrat që krijonin epërsi të vogël dhe rikthenin atë.

LeBron James padyshim ka qenë ylli i kësaj mbrëmje, me veteranin amerikan që e mbylli ndeshjen me 37 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime.

Me lojë fantastike te Lakers u dalluan edhe qendra Thomas Bryant që shtoi 29 pikë e 14 kërcime, fundori gjerman Dennis Schroder me 27 pikë si dhe Russell Westbrook që shtoi 23 pikë të tjera, por pati edhe 15 asistime.

De’Aaron Fox shkëlqeu te vendasit me 34 pikë, nëntë asistime e dy kërcime, por që në fund ishin të pamjaftueshme për të marrë fitore. /Telegrafi/