Telegrafi

Lebron rinovon me LA Lakers, ai bëhet lojtari më i paguar në histori të NBA

LeBron James rinovon me Los Angeles Lakers duke zgjatur edhe për dy vite për 97 milionë dollarë të garantuar, me opsion edhe për sezonin 2024-25.

James ishte në fund të kontratës edhe me një vit të fundit që i siguronte një pagë prej 44 milionë dollarësh.

Ai në këtë mënyrë mund të kalojë kufirin e 40 vjetëve si një lojtar i NBA, pasi mbush 38 vjeç dhjetorin që vjen.

Një detaj edhe më interesant, Lebron James me këtë kontratë arrin në kuotën e 532 milionë dollarëve të fituar vetëm nga pagat gjatë karrierës, një rekord ky i të gjitha kohërave.

LeBron ka në Los Angeles jo vetëm qytetin e skuadrës në të cilën luan, por edhe qendrën e bizneseve të tij. Për këtë arsye, lidhja deri në fund të karrierës me Lakers ishte një lëvizje e pritshme.

37-vjeçari te Lakers deri tani ka luajtur për 4 sezone, dy herë nuk ka arritur as play offin, një herë ka dalë në raundin e parë me kalifornianet, por fitoi titullin në vitin 2020, e madje si MVP i Finaleve, duke i dhënë kuptim eksperiencës së tij në një skuadër historike e me shumë traditë.

Ai ishte titulli i tij i katërt në NBA, i fituar me 3 skuadra të ndryshme, pas eksperiencave me Miami dhe Cleveland. /Telegrafi/