Telegrafi

LeBron James tejkalon Michael Jordanin për pikë në playoff

Ylli i Cleveland Cavaliers, LeBron James e ka tejkaluar Michael Jordanin për vendin e parë në listën e shënuesve të NBA në playoff.

LeBron hyri në histori me anë të një treshe të realizuar nga krahu në fund të çerekut të tretë të ndeshjes së pestë të finales së konferencës lindore.

Ajo gjuajtje ia dha pikën e 29-të në takim LeBronit që e çoi në total numrin e tij në 5989 pikë në playoff në karrierën e tij, duke tejkaluar legjendën Jordan i cili realizoi 5987 pikë.

James vrapoi përgjatë parketit dhe ngriti gishtin tregues lart për të sinjalizuar vendin e tij në histori.

“E mbaj këtë numër për shkak të Michael Jordanit”, tha LeBron duke treguar pse mban numrin 23 në fanellë.

“Mendjo se kam rënë në dashuri me këtë lojë për shkak të Jordanit, vetëm për shkak të asaj që ai ishte në gjendje të bënte. Kur ju e shikoni Michael Jordanin është sikur ta shikoni një Zot. Kështu, unë nuk mendoj se kam mundur ndonjëherë të bëhem Jordan”, deklaroi LeBron.

Rekordi i Jordan qëndroi plot 20 vjet. /Telegrafi/