Site icon Telegrafi

LeBron James shkëlqen me ‘Triple-double’ në fitoren e Lakers, Brooklyn mposhtin Houstonin

Los Angeles Lakers janë bërë skuadër e pandalshme në NBA, pasi kanë marrë edhe fitoren e katërt radhazi.

Skuadra nga Kalifornia ka triumfuar në udhëtim te Dallas Mavericks pas kohës shtesë me nëntë pikë epërsi 110:119.

Ishte një takim ku shkëlqeu LeBron James me ‘Triple-double’, ku shënoi 39 pikë, pati 12 kërcime e 16 asistime ndërsa pati edhe një bllokadë e katër topa të vjedhur.

Paraqitje të jashtëzakonshme kishte edhe Anthony Davis me 31 pikë, tetë kërcime, dy asistime, dy bllokada e dy topa të vjedhur.

Tek vendasit i jashtëzakonshëm ishte Luka Doncic që gjithashtu arriti ‘Triple-double’, me 31 pikë, 13 kërcime e 15 asistim, por që në fund këto shifra vlejtën vetëm për statistika pasi nuk i mjaftuan për fitore.

Ndeshje jashtëzakonisht interesante është zhvilluar edhe në Barclays Center, ku Brooklyn Nets janë rikthyer te fitoret pasi kanë mposhtur Houston Rockets me shtatë pikë diferencë 123:116.

Taurean Prince ishte basketbollisti më efikas te vendasit me 27 pikë e 12 kërcime, ndërsa u ndihmua nga LeVert me 25 pikë e Irving me 22 të tjera në fitoren e Nets.

Ndërkohë mysafirëve nga Houstoni nuk i mjaftuan 36 pikët nga James Harden për të arritur fitore. /Telegrafi/

Rezultatet:

Brooklyn Nets – Houston Rockets 123:116

Indiana Pacers – Cleveland Cavaliers 102:95

Orlando Magic – Milwaukee Bucks 91:123

Boston Celtics – New York Knicks 104:102

Chicago Bulls – Detroit Pistons 112:106

Dallas Mavericks – LA Lakers 110:119

Sacramento Kings – Utah Jazz 102:101

Golden State Warriors – San Antonio Spurs 110:127

Exit mobile version