Vepra “Kur sunduesit grinden” e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, është përkthyer në gjuhën frënge nga violinisti i njohur Tedi Papavrami. Me rastin e botimit, gazeta “Le Monde” i bën një analizë veprës së Kadaresë duke nisur fill me telefonatën …
Skena zhvillohet në Moskë, në vitin 1934. Më 23 qershor, pasdite, shkrimtari Boris Pasternak (1890-1960) – autori i ardhshëm i romanit të famshëm “Doktor Zhivago” (1957) dhe fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë më 1958 – merr një telefonatë të papritur, nga shoku Stalin. Udhëheqësi suprem i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike dëshiron të flasë me të për poetin rus Osip Mandelstam (1891-1938). Ai e di që Mandelstam dhe Pasternaku janë miq. Disa muaj më parë, në vjeshtën e vitit 1933, Mandelstam kompozoi Epigramin e tij të famshëm kundër Stalinit, me titullin “Xhelat dhe vrasës i muzhikëve”.
Mandelstam e konsideronte dhe e përshkruante Stalinin si “Maloku i Kremlinit”. Mandelstam gjeti fjalët e atilla: “Gishtat e tij janë të yndyrshëm si krimbat / Fjalët e plumbave i bien nga buzët / Mustaqet e kacabunjtë që përqeshin / Dhe lëkura e çizmeve që i shkëlqen.”
Kur Stalini telefonon Pasternakun, Mandelstam sapo është arrestuar dhe dënuar. Ai do të vdesë katër vjet më vonë në një kamp transit gjatë rrugës për në Kolyma.
Por, le të kthehemi në vitin 1934, te kjo telefonatë mitike – të cilën e gjejmë në penën e shumë autorëve sovjetikë që shkruan për epokën e Stalinit.
Këtë herë, është shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ai që kap penën për këtë temë, gati nëntëdhjetë vjet pas gjithçkaje që ka ndodhur dhe ka dalë në dritë. Autori i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” (1963) i shpjegon mosmarrëveshjet që në krye. Ai ishte vetë student në Moskë në vitet 1950. Aty, në Institutin “Gorki”, dëgjoi për herë të parë për këtë telefonatë. Që atëherë, ai nuk ka reshtur së menduari për të. A e vulosën fatin e poetit ato tre-katër minuta komunikim në telefon? Pse Stalini e telefonoi Pasternakun? A kishte ai dyshime për fatin që do t’i rezervohej Mandelstamit në një kohë kur “emri i poetit lakohej dhe përgojohej nga të gjithë”? A donte ai të vinte në provë Pastërnakun? A e kishte tradhtuar ai mikun e tij? A ishte Pastërnaku i befasuar nga telefonata?
Thuhet se kur Pastërnak u pyet nga Stalini se “Çfarë mendon për Mandelstamin?”, ai mendohet se është përgjigjur: “Ne jemi thjesht të ndryshëm, shoku Stalin”. A ishte kjo një provë e mospranimit të tij? Çfarë do të kishte bërë Kadare në vend të tij? Dhe çfarë e tërhoqi kaq shumë, Kadarenë, në ato pak minuta që e ndoqën edhe në ëndrrat e tij?
A priori, struktura e tregimit është e thjeshtë; Në fillim të librit, e shohim autorin në pleqëri duke tentuar të shkruajë romanin e këtij episodi. Duke ia përshkruar botuesit që ka plot mëdyshje: “Poeti dhe tirani nuk duhet të gjendeshin kurrë në të njëjtën anë”. Pastaj Kadare e lë mënjanë dhe zbërthen versionet e ndryshme që ai mundi t’i bashkonte kësaj telefonate. Jo më pak se trembëdhjetë: KGB-ja, zonja dhe miqtë e Pasternakut dhe shkrimtarë të tjerë … Çdo herë, nuk është as i njëjti version dhe as krejt i ndryshëm. Asnjë prej tyre nuk duket as krejtësisht i rremë, as plotësisht i besueshëm. Qenia më e çuditshme apo më ironike në të gjitha është se Stalini ia mbylli telefonin Pasternakut sikur të ishte personi që mishëronte një lloj “rreptësie morale”: “Ti je një shok shumë i keq, shoku Pasternak! /Panorama/