Telegrafi

Le Mond: Perëndimi po përgatitet për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Sipas kësaj gazete, tri runde të mbetura të bisedimeve, që do të mbahen deri në dhjetor, do të shërbejnë që t’i tregohet Rusisë dhe vendeve të përmbajtura të BE-së, se janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për arritjen e kompromisit.

Informatën se vendet perëndimore janë duke u përgatitur që ta njohin pavarësinë e Kosovës e kanë transmetuar edhe mediat serbe, duke u thirrur në burimet diplomatike në Beograd.

Siç njofton agjencia Beta, në raport thuhet se tashmë është përgatitur skenari që parasheh tejkalimin e refuzimit të njohjes eventuale të pavarësisë së njëanshme të Kosovës nga disa shtete të BE-së – duke e unifikuar qëndrimin “në veprim”.

Ndërkaq ku unitet në veprim, sipas kësaj agjencie, është përkrahja për vendosjen e misionit të BE-së në Kosovë, pas 11 dhjetorit, kur Treshja e Grupit të Kontaktit të konstatojë dështimin e bisedimeve, ndërsa Këshilli i Sigurimit të deklarohet se nuk mund të miratojë rezolutën për implementimin e planit të Ahtisaarit, për shkak të vetos ruse.

Një burim diplomatik në Beograd, ka pohuar se, për dallim rreth njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, në BE ekziston unitet kur bëhet fjalë për dërgimin e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Sipas gazetës Mond, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, do t’i bëjë thirrje Bashkimit Evropian që ta marrë përsipër misionin e UNMIK-ut në Kosovë, ndërsa në fillim të janarit kjo gjë do të pranohet nga Këshilli i Ministrave i BE-së, me përkrahjen e “përmbajtur” të disa anëtarëve që kundërshtojnë pavarësinë e njëanshme të Kosovës – thekson kjo gazetë.

Në pjesën e dytë të janarit, sipas kësaj gazete, Kosova do ta shpallë pavarësinë – pasi që shumica e anëtarëve të BE-së të zotohet se do ta njohin atë pavarësi në një periudhë prej disa muajsh, siç parashihet me planin e Ahtisaarit.

Sidoqoftë, sipas gazetës Le Mond, ky plan ka disa të panjohura, siç është gara e partive politike të Kosovës (në zgjedhje) se cila kur do ta shpallë pavarësinë, si dhe ndarja e pjesës veriore të Kosovës, me mbështetjen e Beogradit dhe Moskës.