“Male spektakolare, lugina të egra, lumenj të pazbutur. Në Shqipëri për një arratisje të egër.”
Me këtë titull, gazeta e njohur franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një reportazh të gjatë natyrës shqiptare dhe hapjes së saj për turistët e huaj.
Me një foto nga Parku Kombëtar i Luginës së Vjosës, gazetari francez Christophe Migeon, e quan atë një lumë të lirë dhe krenari të Shqipërisë.
Në reportazh theksohet se peripecitë e historisë shqiptare mbajtën një pjesë të madhe të vendit larg zhvillimit për gati gjysmë shekulli.
Sot Shqipëria, sipas “Le Figaro” po u hapet dalëngadalë udhëtimeve të ecjes në natyrë dhe aventurave.
Ajo që gazetarit francez i bën përshtypje është ruajtja ende e traditave vendase pavarësisht varfërisë dhe diktaturës së egër apo dhe modernizimit që erdhi pas hapjes me botën.
Shkrimi i prestigjiozes franceze është një ftesë për lexuesit e saj për të vizituar vendin tonë, jo vetëm për plazhet e bukur, por edhe për malet, njerëzit, kulturën dhe historinë.
Ishin mbi 126 mijë francezë që vizituan vendin në 2023 me një rritje të fortë prej 60% më shumë se një vit më parë.
Në vazhdën e jehonës që po bën turizmi shqiptar këtë fundjavë, vjen një shkrim edhe nga austriakja “Kronen Zeitung” e cila gjithashtu e konsideron vendin tonë një detinacion të ri në Mesdhe.
“Nëse kërkoni diçka ndryshe, nuk duhet të humbisni Shqipërinë si një alternativë në Mesdhe. Vendi ende i panjohur ballkanik është lehtësisht i arritshëm, dhe dukshëm më pak i mbushur me njerëz”, shkruan e përditshmja austriake.
Ajo veçon Rivierën shqiptare, por edhe qytete si Tirana, Durrësi, Berati dhe Kruja./TV Klan