Sot, është mbajtur mbledhja e rregullt e Kryesisë së LDK-së e udhëhequr nga kryetari Lumir Abdixhiku.
Kryesia e LDK-së ka zyrtarizuar kandidaturat për kryetarë të këtyre komunave:
Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama;
Kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës, Ekrem Hyseni;
Kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri;
Kandidat për kryetar të Komunës së Suharekës, Ardian Shala;
Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti;
Kandidat për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha;
Kandidat për kryetar të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti;
Kandidat për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri;
Siç njofton LDK, përveç zyrtarizimit të kandidaturave, Kryesia pas kërkesës së kryetarëve aktual të Degëve, do të orgnizojë Kuvende të Jashtëzakonshme Zgjedhore në Rahovec dhe Dragash.
Njëkohësisht, sipas kërkesës së kryetarëve të Degëve përkatëse, organizohen Konventa të Punës në Prizren dhe Gjilan.
“Kandidatët e zyrtarizuar do të paraqesin listën e kandidatëve për asamble komunale, si dhe do të prezantojnë ekipet e tyre fituese për rikthimin e madh të LDK-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, anëtari i kryesisë së LDK-së, Armend Zemaj pas mbledhjes tha se përveç nominimit të kandidatëve në këtë mbledhje u diskutuan edhe çështje të tjera, si organizimi nëpër degë, përgatitja për asamble etje.
“Ishte një numër i të nominuarëve që morën edhe përkrahjen e kryesisë. Shumica e kryetarëve aktualë u nominuan për të rikandiduar. Organizimin nëpër degë, përgatitja për asamble. Përgatitja e forumit të gruas, forumit të rinisë. Raportuan grupet e punës”, tha ai.
Kujtojmë LDK aktualisht qeveris në shtatë komuna të Kosovës: Pejë, Gjilan, Vushtrri, Lipjan, Viti, Istog dhe Fushë Kosovë./Telegrafi/