Site icon Telegrafi

LDK vendos ta rikandidoj edhe për një mandat Agim Veliun në Podujevë

Kryetari aktual i komunës së Podujevës, Agim Veliu ka bërë të ditur se do të rikandidohet sërish edhe për një mandat për kryetar të kësaj komune.

“Pas diskutimeve të zhvilluara në teren dhe takimeve që kemi mbajtur me strukturat udhëheqëse, Kryesia Qendrore e LDK-së, më dha besimin që të kandidohem edhe për një mandat për kryetar të Komunës”, ka shkruar Veliu.

Postimi i plotë:

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Podujevës,
Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Pas diskutimeve të zhvilluara në teren dhe takimeve që kemi mbajtur me strukturat udhëheqëse, Kryesia Qendrore e LDK-së, më dha besimin që të kandidohem edhe për një mandat për kryetar të Komunës.
Të dashur veprimtarë,
Që nga paslufta, në të gjitha proceset zgjedhore të organizuara, LDK ka dalë fituese. Janë bërë investime të shumta, janë realizuar projektet të rëndësishme për qytetarët llapjanë gjatë gjithë këtyre viteve. Vlerësoj lart punën dhe angazhimin tuaj në projektet tona të përbashkëta dhe jam thellësisht i bindur se do ta ruajmë vazhdimësinë me fitoren e radhës.
Qytetarë dhe miq,
Gjatë mandatit që po lëmë pas kemi përmbushur obligimet e marra nga ju, prandaj në bashkëpunim me ju, kërkojmë mandatin e ri për t’i përmbyllur projektet e mëdha që kemi filluar, por edhe për të nisur me projektet e reja, duke pasur përherë prioritet përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.
Me një ekip të fortë e fitues dhe program qeverisës efikas, i cili po ndërtohet nga profesionistë të fushave të ndryshme, duke pasur orientim kryesor kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, oferta jonë do të jetë e pranueshme dhe fituese.
I bindur për mobilizim dhe punë të përbashkët, zotohem para jush për angazhim të plotë në arritjen e sukseseve të reja.
Zoti e bekoftë Lidhjen tonë!
Zoti e bekoftë Podujevën!” /Telegrafi/

Exit mobile version