Site icon Telegrafi

LDK sot dorëzon kallëzim penal, në lidhje me punësimet e fundit në KEK

Lidhja Demokratike e Kosovës, sot në orën 14:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në lidhje me punësimet e fundit në KEK.

Në njoftim thuhet se pas dorëzimit të kallëzimit mbahet konferencë për medie, para Pallatit të Drejtësisë.

Dorëzimin e kallëzimit penal në Prokurori e kishte paralajmëruar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të martën, derisa ka bërë thirrje për anulimin e konkursit.

“Sot, kemi ftuar Prokurorinë të nisë hetimet mbi këtë proces skandaloz e korruptiv. Nesër do të dorëzojmë dhe kallëzim penal në Prokurori. Kemi ftuar dhe menaxhmentin e KEK-ut të anulojë procesin në fjalë e t’i suspendojë të gjithë anëtarët e Komisionit Vlerësues; dhe të rinisë kështu një proces të ri, të hapur dhe mbi të gjitha të drejtë”.

Abdixhiku ka akuzuar partinë që drejton me Qeverinë se kishte paracaktuar personat që do të punësoheshin nga konkursi publik.

Ai tha se LVV po zëvendëson kapjen më një kapje të re.

“Ky është modeli i pushtetit në vend. Kapje e nepotizëm masiv i çdo vendi e çdo ndërmarrje pa dallim; dhe atë hapur e pa brengë. Ata që e arsyetojnë kapjen, që normalizojnë zëvendësimin e një kapësi me tjetrin, le t’iu flasin sot të katër mijë aplikantëve që janë refuzuar sepse s’kishin parti. Le t’i bindin tani – ata e familjet e tyre – se dëshpërimi e ikja nga ky vend nuk është alternative”, ka thënë Abdixhiku.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të martën se Departamenti i Krimeve të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka iniciuar hetime lidhur me punësimet në KEK, pas akuzave për punësime në baza familjare e partiake. /Telegrafi/

Exit mobile version