Site icon Telegrafi

LDK: Shpend Ahmeti keqmenaxhon buxhetin nëpërmjet subvencioneve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila në Prishtinë ehtë opozitë ka thënë nëpërmjet një reagimi se kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka keqmenaxhaur buxhetin komunal, gjatë ndarjes së subvencioneve.

Reagimi i plotë i LDK-së

Shpend Ahmeti keqmenaxhon 80 mijë euro të buxhetit të Komunës përmes subvencioneve

Përpjekja nga Shpend Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij për denigrimin e njerëzve që mendojnë ndryshe po bëhet me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes të qytetarëve nga problemet dhe keqpërdorimet serioze të qeverisë të Komunës së Prishtinës.
E vërteta është se ky kryetar dhe ekipi i tij në Komunën e Prishtinës nuk janë vetëm gënjeshtarë. Ata janë edhe hipokritë. Ndoshta edhe më shumë se kaq. Ata nuk i kanë vetëm dy fytyra, por disa sosh.

Fytyra e tyre e vërtet po del në pah çdo ditë dhe për këtë po i referohemi disa fakteve të zbuluara nga Auditori i Përgjithshëm.
Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2015 janë të shumta. Disa nga të gjeturat kanë të bëjnë edhe me parregullsitë e identifikuara në ndarjen e subvencioneve për persona fizik dhe juridik. Kjo krijon bazën e dyshimit për vepra penale të kryera nga kryetari i komunës me rastin e nxjerrjes së vendimeve për ndarje të subvencioneve, sepse bëhet fjalë për shkelje procedurale dhe materiale për 13 përfitues të subvencioneve për projekte në vlerën prej 79,868 €.

Auditori i Përgjithshëm në raportin për vitin 2015 na thotë faktet si vijon:

Në rastin e përkrahjes së projektit “Studimi i florës dhe faunës në parkun Gërmia” në vlerë totale prej 15,000 € për dy persona, pagesave nuk i kanë të bashkangjitura: rekomandimin, kërkesën formale, projektin dhe raportin kthyes. Për më tepër, kontrata është lidhur pas përfundimit të studimit. Qëllimi i shpenzimit ishte shpallja e parkut të Gërmisë si peizazh i mbrojtur kategoria 5, që nuk përkon me qëllimin e subvencionimit sipas rregullores.
Pagesa për “ETEA” në vlerë 5,000€ ishte bërë në muajin gusht, edhe pse projekti – Dita botërore e muzikës në Prishtinë ishte realizuar në muajin qershor.
Një shumë prej 1,000 € i është dhënë subvencion për botimin e një libri në llogarinë personale të përfitueses. Përfituesja e subvencionit nuk është banore e Prishtinës.

Kryetari kishte marr vendim për subvencionim të orkestrës kamertale në vlerë prej 10,000€, edhe pse kërkesa nga orkestra kamertale ishte 5,940 €. Për më tepër, është kërkuar mbulimi i shpenzimeve të mëditjes për 25*50 € (1250 €), akomodimi, biletat, telefonat, reklamat etj., dhe pagesa e këstit të parë nuk ka të bashkangjitur raport kthyes.

OJQ Artpolis ishte subvencionuar me 3,500 € për mbajtjen e festivalit FEMFEST. Ekzekutimi i projektit nuk ishte kryer brenda afatit. Në këso raste, me kontratë parashihet ndërprerja dhe kthimi i parave.

Komuna kishte financuar “OVL-UÇK” në vlerë 2,350 € për projekte që kishin përfunduar. Subvencioni ishte kërkuar për shënimin e 18 Prillit – Ditës së Dëshmorëve të Komunës, ndërsa pagesa ishte bërë në muajin qershor.

Në rastin “APK” – 4,000 € për organizimin e panairit të librit 1-6 qershor të këtij viti, komuna kishte marr vendim dhe kishte lidhur kontratë me vonesë dhe pagesa ishte bërë në muajin e shtator, pasi që projekti kishte përfunduar.
Në dy pagesa prej 13,000 € për klubin hendbollistik “Prishtina”, mungon rekomandimi i komisionit, kërkesa formale dhe raporti kthyes.

Me rastin e subvencionimit për “Sport Marketing“ në vlerë prej 10,000 € për aktivizimin sezonal të liqenit të Gërmisë, komuna nuk kishte pranuar asnjë projekt, rekomandim nga komisioni, e as nuk kishte marrëveshje me përfituesin. Qëllimi i pagesës është mbulimi i borxheve për shkak të vështirësive financiare të kësaj kompanie që nuk përputhet me qëllimin e subvencionimit sipas rregullores.

Subvencionimi për ekskursionin e shërbyesve civil në Durrës/Shqipëri në vlerë 5,000€ për shpenzime të akomodimit dhe transportit, nuk përputhet me qëllimin e subvencionimit.

Për pagesën prej 10,000 € për teatrin Dodona nuk ka projekt, nuk ka kërkesë, rekomandim të komisionit dhe vendimi është për vlerën 20,000 €, ndërsa pagesa është e pjesshme.

Me rastin e subvencionimit për shoqatën e filozofëve të Kosovës në vlerë 1,000 €, pagesa ishte bërë pas përfundimit të ngjarjes dhe nuk ka raport kthyes.
Me dy pagesa në vlerë 18,000 € komuna e kishte subvencionuar kompaninë Trafiku Urban për shpenzime të naftës, paga të punëtoreve dhe borxhe tjera. Lënda nuk ka të bashkangjitur rekomandimin e drejtorisë përkatëse, kontratën apo një raport kthyes për paratë e harxhuara.

Këto të dhëna për keqmenaxhimin e parasë publike janë vetëm disa nga arsyet që kryetari i Prishtinës, deri më sot nuk u ballafaqua me Kuvendin e Komunës, sepse keqmenaxhimi dhe dështimet e vazhdueshme gjatë qeverisjes tre-vjeçare nuk është lehtë të arsyetohen para këshilltarëve dhe opinionit të gjerë.

Grupi i Asamblistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinë. /Telegrafi/

Exit mobile version