Telegrafi

LDK: Qeveria e dorëhequr nuk ka të drejtë të emërojë ambasadorë

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin për emërimet e kundërligjshme të ambasadorëve, që së fundi i ka bërë Qeveria e dorëhequr.

Në reagimin e LDK-së thuhet se me këto veprime, Ministri i dorëhequr i Punëve të Jashtme, bashkë me Kryeministrin e dorëhequr Haradinaj dhe Presidentin Thaçi kanë degraduar edhe me tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, përkundër rastit në shqyrtim për kompetencat e Qeverisë së dorëhequr nga Gjykata Kushtetuese.

“Veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik. Krahas saj, Lidhja Demokratike dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit në ikje PDK, AAK, NISMA dhe AKR për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politik një ditë para shpërndarjes së Kuvendit. Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë në të, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politik“, thuhet në reagimin e LDK-së, përcjell Telegrafi.

“Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së Kryeministrit”.

‘Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, është shumë e rëndësishme që secili vendim të realizohet në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe në përputhje me parimin e meritokracisë”, thuhet në reagim.

Reagimi i LDK-së vjen pas informatës së bërë publike sot në një portal se dy ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Behgjet Pacolli, përmes një letre dërguar për Vjosa Osmanin, si kryetare e komisionit për punë të jashtme, kërkoi nga ajo që fillonin procedurat që deputeti i PDK-së, Nait Hasani të emërohej në pozitën e Ambasadorit në Shqipëri.

Ndërsa sot përmes rrjetit social Facebook, anëtari i komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Zafir Berisha, bëri të ditur se ky komision e ka intervistuar të propozuarin për Ambasador në Shqipëri, Nait Hasanin. /Telegrafi/