Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale është dënuar më së shumti nga të gjitha partitë e tjera. 70 mijë e 750 euro është lartësia e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar ndaj kësaj partie.
Kryesuesi i PZAP-së, Mul Desku për Tribuna Channel thotë se kjo parti ende nuk ka bërë pagesën e gjobës.
Partitë tjera që janë dënuar më së shumti janë: PDK me 26 mijë 150 euro, nga të cilat janë paguar vetëm 1 mijë e 350 euro. Vetëvendosje mbi 23 mijë euro gjobë, të cilat i ka paguar, por Vetëvendosje prinë sa i përket dënimeve në thyerjen e heshtjes zgjedhore e dënuar me mbi 16 mijë euro.
Kurse, AAK në tërësi është dënuar me 14 mijë e 700 euro, e cila nuk ka paguar.
Një veçori sipas Deskut është që Lista Serbe e dënuar 38 mijë euro ka bërë pagesën e tërësishme të gjobës së shqiptuar nga PZAP.
Ai shtoi se për të gjitha ato partitë të cilat nuk do të bëjmë fshirjen e këtyre gjobave në kohën e paraparë me ligj, do të ketë gjoba tjera ndaj tyre.
Sa i përket vendimit të PZAP-së për rivotim në Istog, ai u shpreh se me të gjitha ankesat e bëra, vendimi ka qenë i drejtë, duke mos dashur që të komentojë nëse Gjykata Supreme mund të marr vendimin e njëjtë për shfuqizimin e këtij vendimi, siç kishte bërë për rinumërimin në Prishtinë dhe Prizren.