Site icon Telegrafi

LDK: Presidenti Thaçi e ka shkelur Kushtetutën me deklaratat për kufijtë e Kosovës

Pas më shumë se dy orë të takimit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ky subjekt politik, përmes një komunikate për media, ka thënë se po ndjek me shumë kujdes debatin dhe qëndrimet lidhur me fazën finale të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut. Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson lart rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces dhe përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe beson se të dyja këto, sidomos në këtë fazë, duhet të jenë të përfshira plotësisht në proces”, thuhet në komunikatë, përcjell Telegrafi.

Më tej, Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se ditëve të fundit, sidomos nga ana e Presidentit të vendit, janë bërë deklarata të pamatura, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me mandatin kushtetues të Presidentit, prandaj LDK-ja konsideron se është e domosdoshme që lidhur me këtë të kërkojë opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti i vendit ka dështuar që të ketë funksion unifikuesi dhe garantuesi të rendit kushtetues të vendit, duke cenuar pikërisht këtë rend, me anën e qëndrimeve të tij”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e përsërit edhe një herë se Presidenti nuk mund ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sepse ai nuk është mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ripërsërit se kufijtë dhe subjektiviteti shtetëror i Kosovës janë përcaktuar me Deklaratën e Pavarësisë, Opinion e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe thekson faktin se Kosova është pranuar nga shumica e kombeve të lira të botës. Prandaj, marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet: duke mos e cenuar në asnjë formë integritetin territorial të Kosovës; duke e ruajtur karakterin unitar të shtetit të Kosovës dhe duke e respektuar frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

Ky subjet politik vlerëson se dialogu duhet të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas verifikimit të legjitimitetit me anë të votës së qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme, meqë institucionet aktuale, sipas LDK-së, e kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar për ta drejtuar dhe për ta përfaqësuar Kosovën.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme të bëhet pjesë aktive e procesit të dialogut, por vetëm pas legjitimimit qytetar përmes votës së lirë”, përfundon komunikata e LDK-së. /Telegrafi/

Exit mobile version