Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka reaguar lidhur me miratimin e raportit për dëbimin e shtetasve turq nga Kuvendi i Kosovës.
Në njoftim thuhet se pas shumë shtyrjeve dhe sabotazhit të punës së Komisionit Hetimor lidhur me deportimin e shtetasve turq, sot Kuvendi i Kosovës e miratoi raportin ku specifikohen qartë 31 shkelje të Kushtetutës, Ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme që lidhen me procedurat për deportimin e shtetasve të huaj.
“LDK-ja vlerëson se raste të tilla nuk duhet të ndodhin asnjëherë. Përfundimet e këtij Komisoni e nxjerrin qartë përgjegjësin e drejtpërdrejtë dhe indirekt në deportimin e 6 turqëve. Drejtësia duhet të bëjë punën e vetë në mënyrë të paanshme dhe efikase”, thekson njoftimi.
Kujtojmë se pas debateve që u zhvilluan në Kuvendin e Kosovës, deputetët kanë miratuar raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq të cilët u dëbuan nga Kosova më 29 mars të vitit 2018. Nga 65 deputetë që morën pjesë në votim, 59 votuan për, 2 kundër dhe 4 abstetuan.
Gjashtë shtetasit turq ishin deportuar për në Turqi pasi që akuzohen nga shteti turk si bashkëpunëtorë të organizatës Feto të Fetullah Gulenit që për Ankaranë zyrtare është organizator i tentim grusht shtetit në Turqi në korrik të vitit 2016. /Telegrafi/