Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me programin e Qeverisë së Kosovës për politikën e jashtme, ku sipas tyre është më shumë i natyrës dëshirore, pasi nuk ka plan e as strategji.
Në një konferencë për medie, nënkryetarja dhe njëherësh koordinatorja e Departamentit për Politikë të Jashtme në LDK, Shqipe Mjekiqi ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka parime të qarta lidhur me dialogun me Serbinë.
“Qeveria nuk paraqet kornizën e parimeve për dialogun me Serbinë, ku sipas LDK-së duhet të përfundoj me njohjen reciproke të të dyja vendeve, në kufijtë aktual, pa cënuar funksionimin e brendshëm kushtetues të vendit”, tha Mjekiqi, shkruan Telegrafi.
Sipas saj, programi nuk ka asnjë fjalë për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Përfaqësimi i qytetarëve në politika duhet të jetë prioritet për secilën qeveri, mirëpo paraqitja e programit për punë të jashtme është e natyrës dëshirore, pa fokus dhe pa masa konkrete që do të shkonin në plotësimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës. Programi nuk ka asnjë fjalë të vetme për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, në Interpol e në UNESCO. Qeveria e Kosovës duhet të filloj përgatitjet për anëtarësimin në këto organizata dhe organizatat e tjera bilaterale”, shprehet ajo.
Për sa i përket njohjeve të reja, Mjekiqi thotë se nuk ka plan konkretë edhe për këtë çështje.
“Qeveria nuk ka plan për njohjet e reja, ku mungesa e një plani për njohjet e reja, do të pengoj konsolidimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar. Qeveria nuk e shpjegon se si do të arrihen fondet e IPA-së mbi bazën e kriterit të konkurrencës. As që mund të bëhet fjalë për nisjen e procedurave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. E para, vendi duhet ta marr statusin e kandidatit, e dyta Këshilli Evropian duhet ta marr dritën e gjelbër, pra negociatat nuk mund të fillojnë pa u pajtuar të gjitha shtetet anëtare”, thotë Mjekiqi.
Në fund, ajo tërheq vërejtjen se procesi i liberalizimit të vizave është proces i vonuar.
“Ne konsiderojmë që procesi i liberalizimit të vizave është proces i vonuar. Do të ishte mirë që Qeveria të na tregojë se çfarë plani ka për tendencën që ta kthej procesin nga një proces të politizuar në atë teknik”, përfundon Mjekiqi. /Telegrafi/