Ndonëse e ka humbur Prishtinën në vitin 2013, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk ka hequr dorë nga synimi për ta rikthyer kryeqytetin.
Zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në nëntor të këtij viti, pavarësisht se e kanë mobilizuar partinë e Isa Mustafës, kjo nuk ka ndikuar që ky subjekt të dalë me emrin e kandidatit që synon ta marrë timonin e Prishtinës.
Së paku deri më tani, edhe pse jozyrtarisht, janë përmendur shumë emra, por të cilët as nuk janë pohuar, por as mohuar se do të jenë pjesë e garës për të parin e qytetit më të madh në vend.
Fillimisht ishte përmendur emri i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi, i cili u bë pjesë e diskutimeve për shkak se përfaqëson një brez të ri në infrastrukturën e LDK-së, dhe nuk ka mbi supet e tij ndonjë skandal.
Abrashi në një intervistë për media, duke folur për kandidimin e mundshëm tij për kryetar të Prishtinës, ka thënë se “nuk është diskutuar asnjëherë”.
“Duhet të diskutohet në struktura, degë dhe Kryesi. E di që po përmendet, njerëzit kanë të drejtë të flasin dhe të shprehin preferencat e tua”, kishte theksuar Abrashi.
Ai nuk e kishte pohuar as mohuar kandidaturën e tij për kryeqytetin e Kosovës.
“Besoj që të tregoj herën tjetër, janë strukturat partiake që vendosin”, ka përfundur Abrashi.
Emra të tjerë që janë përfolur për këtë garë kanë qenë edhe aktualisht këshilltarja politike e shefit të Qeverisë së Kosovës, Vlora Dumoshi, ish – kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, aktualisht shef i grupit parlamentar të LDK-së.
Gjithashtu, së fundmi, siç mëson Telegrafi, në çarqet e LDK-së është duke u përmendur edhe emri i Beriana Mustafës, vajzës së njërit prej personave më të fuqishëm të LDK-së dikur, Xhemajl Mustafës, i vrarë menjëherë pas luftës ne rrethana ende të panjohura.
Ajo, duke mos e pohuar, por as edhe mohuar një gjë të tillë, për Telegrafin ka thënë se “nuk ka asnjë koment rreth kësaj teme”.
“Përderisa nuk ka asgjë zyrtare, nuk mund të komentojë”, ka shtuar Mustafa.
Por, pavarësisht spekulimeve mediale, ende partia e dytë në vend, nuk e ka konfirmuar ose mohuar se ndonjëri prej të lartcekurve do të jetë ose nuk do të jetë pjesë e garës.
Ndryshe, Prishtinën pas 14 viteve të drejtimit të saj, LDK-ja e kishte humbur në vitin 2013, duke u mposhtur nga kandidati i VV-së, Shpend Ahmeti, i cili e mposhti kryeministrin aktual, Isa Mustafa, në balotazh. /Telegrafi/