Telegrafi

LDK për ministrin Latifi: Rezultatet konkrete të tij ishin vetëm ardhje-vajtjet jashtë vendit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se rezultatet konkrete të ministrit të Shëndetësisë, Rifat Laftifi brenda gjashtë muajve janë vetëm ardhje-vajtjet e tij jashtë vendit.

“Janë bërë gjashtë muaj prej se kur Rifat Latifi është emëruar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Rezultatet e vetme konkrete deri më tani janë vetëm ardhje – vajtjet e ministrit jashtë vendit”, ka njoftuar LDK.

LDK ka theksuar se ministri Latifi shumicën e kohës së tij po e kalon jashtë Kosovës, edhe pse vendi ynë është duke u përballur me probleme të mëdha në sistemin shëndetësorë.

“Vetëm në gjashtë mujorin e parë të qeverisjes së tij, mbi 1000 punëtor shëndetësorë kanë mbetur tash e tre muaj pa paga; 45 mjek kanë ikur nga Kosova vetëm për një muaj; tash e një vit Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur asnjë konkurs për specializime nga fusha e mjekësisë, ndërsa vetëm për dy muaj mbi 200 qytetarë të vendit tonë, kanë kërkuar shërim jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e LDK-së. /Telegrafi/