Telegrafi

LDK pas përleshjes së armatosur në Prishtinë: Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi ka reaguar pas vrasjes që ka ngjarjes që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë, ku një person ka vdekur dhe shumë të tjerë janë lënduar.

Ajo në reagimin e bërë në Facebook ka thënë se personat të cilat janë të përndjekur nga drejtësia vazhdojnë të bredhin të lirë qyteteve tona, transmeton Telegrafi.

“Gangsterizmi po shndërrohet në mënyrë jetese për shumë të rinj në Kosovë dhe në mënyrë indirekte është duke u përbrendësuar në shoqërinë tonë. Ky botëkuptim dhe sjellje promovohet kudo, por vështirë t`i vihet përball një model tjetër identitar, ai i qytetarit të edukuar mirë, që e shquajnë vlerat humane dhe solidarësia qytetare. Prandaj, funksionimi efikas i mekanizmave të rendit dhe ligjit është pa alternativë”.

Tutje, ajo ka shtuar se “Rasti i mbrëmshëm na shpërfaq sistemin e brishtë të institucioneve të sigurisë. Personat të cilat janë të përndjekur nga drejtësia vazhdojnë të bredhin të lirë qyteteve tona dhe natyrisht epilogu është një tragjedi e tillë, kur grupe të rinjsh përplasen si në një shesh beteje”.

Lexo po ashtu Pamje nga përleshja e armatosur që ndodhi në Prishtinë

“Tragjedia e mbrëmshëm na ka tronditur të gjithëve, rendi dhe ligji po cenohen rëndë, nga grupe të organizuara që nuk hezitojnë të përdorin armë në ambiente urbane. Qytetarëve duhet t`u ofrohet siguri në qytetin e tyre që të mos lihen si kolateral, nën mëshirën e grupeve rivale”, thotë mes tjerash ajo.

Ndryshe, mbrëmë në lokalin Bon Vivant, ka pasur përleshje me armë zjarri, ku një person ka humbur jetën dhe 17 tjerë u lënduan.

Lidhur me rastin ka pasur reagime të shumta./Telegrafi/