Telegrafi

LDK nuk mund ta shkarkojë Thaçin, pa votat e PDK-së

Paralajmërimet e Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhje të parakohshme kanë rritur nivelin e pakënaqësisë te partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ka qenë deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili mbrëmë deklaroi se nëse është arritur deri në këtë pikë që të prishet koalicioni atëherë të ndodhë një gjë e tillë, por sipas tij prishja e koalicionit PDK-LDK bart me vete edhe disa pasoja.

Gashi ka theksuar se nëse prishet koalicioni atëherë LDK-ja do të kërkojë dorëheqjen e Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pasi që sipas Gashit zgjedhja e presidentit ka qenë pjesë e marrëveshjes së partnerëve të koalicionit.

Lidhur me këto deklarata të Arben Gashit, analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për Telegrafin ka theksuar se LDK-ja mund të kërkojë dorëheqjen e Thaçit, por ai nuk do veprojë ashtu.

Lexo po ashtu Gashi: Nëse prishet koalicioni, LDK do të kërkojë dorëheqjen e Thaçit (Video)

“Koalicioni LDK-PDK është krijuar edhe për akomodimin e Thaçit si president, por në radhë të parë për çuarjen përpara të disa proceseve të rëndësishme, të cilat ka dështuar”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka theksuar se deklaratat se LDK-ja do të kërkojë dorëheqjen e Thaçit janë hakmarrje pas paralajmërimeve të PDK-së për zgjedhje të parakohshme.

“LDK e ka pasur rastin të mos bëjë koalicion me PDK-në, por me vetëdije ka vendosur të bashkëqeveris me këtë parti, kështu që tash është shumë vonë të ankohet”, theksoi Mushkolaj.

Në anën tjetër, analisti Fadil Lepaja, ka theksuar se Thaçi nuk mund të shkarkohet pa 2/3 e votave të deputetëve.

“Nuk është e mundur me të njëjtin princip me sharku presidentin, duhen 2/3 e deputetëve. Ndërkohë në rast të prishjes së këtij koalicioni, konturat e koalicionit të ri do të jenë gati menjëherë”, tha Lepaja për Telegrafin.

Ai ka theksuar se një gjë e tillë nuk e rrezikon Thaçin për shkarkim nga posti i Presidentit, pasi që sipas Lepajës është e vështirë të arrihen votat e duhura pa deputetët e PDK-së./Telegrafi/