Telegrafi

LDK nuk i bën kuorumin koalicionit qeverisës pa u arrit një konsensus për rezolutën

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk do t’i bëjë kuorumin pozitës derisa nuk arrihet një konsensus lidhur me rezolutën e propozuar nga opozita, miratimi i së cilës do të ndalonte presidentin të negociojë për kufijtë e Kosovës.

Naser Rugova nga Grupi Parlamentar i LDK-së, ka thënë për KosovaPress se do të bojkotojnë seancat e Kuvendit, në koordinim me Lëvizjen Vetëvendosje, siç tha ai, për shkak të jo gatishmërisë së deputetëve të pushtetit që të gjejnë një konsensus.

Lidhja Demokratike e Kosovës, për dallim prej seancave të tjera kur shënohej në listën e nënshkrimeve në Kuvend dhe pastaj nuk merrte pjesë në punimet e seancave plenare, sot zgjidhi të bojkotoj në tërësi seancën.

Deputetët e LDK-së sot nuk u panë pranë sallës ku mbahen seancat e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti Rugova tha se nuk kthehen në Kuvend deri në gjetjen e një konsensusi për çështjen e rezolutës së propozuar nga opozita.

“Për shkak të jo gatishmërisë të deputetëve të partnerëve të koalicionit që ta gjejnë një konsensus elementar për një çështje kaq kardinalë siç është integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Ne nuk jemi kundër individëve, ne nuk merremi me persona të përvetshëm por jemi kudër qasjes së një institucioni që është njëshi, institucioni i presidentit, dhe nuk do të kthehem dhe nuk të u bëjmë kuorom partnerëve të koalicionit qeverisës për u arrirë një normë minimale e këtij konsensusi”, thotë ai

E për këtë, ai tha se do të jenë në koordinim të plotë me Lëvizjen Vetëvendosje.