Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë në raport me ngritjen e çmimeve.
LDK përmes një njoftimi thotë se me shqetësim të thellë po e përcjellin rritjen rekorde të çmimeve.
“Rritja rekorde e çmimeve, për çdo muaj po vazhdon të bëhet më e papërballueshme për qytetarin. Inflacioni në muajin prill ka arritur në nivele alarmante prej 11.2%, më e larta deri më tani”.
LDK thotë se Qeveria ka injoruar propozimet konkrete të saj për menaxhimin e krizës së çmimeve.
“LDK ka ofruar edhe propozime konkrete në menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj krize, si: pako fiskale dhe ekonomike, heqjen e TVSH-së për produktet bazike si dhe reduktimin e akcizës dhe TVSH-së në naftë. Përballë propozimeve tona, pushteti popullist ka zgjedhur injorimin e krizës, duke e bërë kështu Kosovën vendin e vetëm pa masë konkrete në zbutjen e papërballueshmërisë së qytetarëve tanë”.
Partia opozitare thotë se paaftësia qeverisëse kushton.
“Çmimi i paaftësisë së popullistëve është ky inflacion rekord”, përfundon njoftimi i LDK-së i shoqëruar edhe me disa grafikë krahasuese./Telegrafi/