Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Rahovec ka vendosur që mos të përkrah asnjërën nga partitë për raundin e dytë të zgjedhjeve.
Më 19 nëntor në këtë komunë në raundin e dytë për kryetar komune do të përballen Smajl Latifi i AAK-së dhe Idriz Vehapi i PDK-së.
Por, kryesia e LDK-së në Rahovec ka marr vendim që mos të përkrah asnjërin kandidatë.
“Metodat jo demokratike të përdorura nga rivalet politike për të bindur qytetarët e Rahovecit për të votuar ata do të zbardhen dhe do të jenë njollë përgjithmonë në angazhimin politik të këtyre partive dhe kandidatëve rivalë. Kryesia e Degës së LDK-së në Rahovec ka vendosur të mos përkrah asnjërin kandidat në balotazh. Ky vendim u mor unanimisht në dy takime, me kryetarët e nëndegëve dhe me kryesinë e degës”, thuhet në njoftimin e LDK-ë.
Kryesia e Degës së LDK-së në Rahovec e vlerëson lartë kthimin e LDK-së si parti e parë në nivel vendi pas 10 vitesh, dhe përgëzon Kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, si dhe kandidatët e LDK-së në gjithë Kosovën.
Kryesia e Degës vlerësoi se rezultati i arritur në Komunën e Rahovecit nuk është i kënaqshëm, megjithëse kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Ibrahim Kryeziu dhe kandidatët për kuvend komunal kanë bërë një fushatë shumë dinamike dhe dinjitoze, bazuar në program të qartë për zhvillim dhe jetë me të mirë për qytetarët.