Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, struktura të degës në Mitrovicë dhe familjarë kanë nderuar jetën dhe veprën e atdhetarëve të shquar, prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, në Akademinë Përkujtimore organizuar nga dega e LDK-së në Mitrovicë.
Në këtë Akademi, nënkryetarët, Gazmend Muhaxheri e Lutfi Haziri si dhe kryetari i LDK-së dega në Mitrovicë, Gëzim Plakolli ndanë mirënjohje post-mortem për prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi.
“Më 24 mars, në ditën kur po agonte shkëndija e lirisë së Kosovës, në shtëpitë e tyre i vranë veprimtarët e lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, Prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi. Pikërisht në natën e fillimit të bombardimeve të NATO-s, kur dhe po ngjallej shpresa për liri e çlirim, po ajo natë mori me vete jetën e dy figurave kryesore të qytetit të Mitrovicës.
Prof. Latif Berisha ishte poet, profesor, studiues dhe veprimtar politik i shquar, andaj, kontributi i tij në jetën krijuese dhe profesionale në arsimim të gjuhës shqipe në vendin tonë, është shembull për gjeneratat ndërvite.
Agim Hajrizi si kryesues i Sindikatës së Kuvendit, shërbeu në këtë detyrë në orët më të rënda në Kosovë.
Hajrizi ishte atdhetar, ekonomist e po ashtu edhe sindikalist në shërbim të çështjes kombëtare.
“Jeta dhe vepra e Prof. Latif Berishës dhe Agim Hajrizit do të kujtohen gjithmonë si figura emblematike, aktivistë dhe veprimtarë të jashtëzakonshëm të Mitrovicës e Kosovës.
Lavdi jetës dhe veprës së prof. Latif Berisha dhe Agim Hajrizi!”