Lidhje Demokratike e Kosovës (LDK) i është gëzuar vendimit për avancimin e statusit të Kosovës në raport me NATO-n.
Përmes një reagimi në Facebook, LDK thotë se mbështetja e vazhdueshme dhe e palëkundur e ShBA-ve dhe anëtarëve tjerë të NATO-s sot rezultoi në avancimin e Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar.
“Miqësia dhe bashkëpunimi me Amerikën dhe NATO-n ishin dhe mbeten pjesë themeltare të vizionit të Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova. Përkushtimi i Kosovës tash e disa dekada për paqen, stabilitetin dhe parimet demokratike u pasqyrua në mbështetjen e NATO-s ndaj vendit tonë”.
“Kosova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë falënderuese ndaj shteteve anëtarë të NATO-s që edhe sot, si gjithnjë, na qëndruan pranë dhe me votën e tyre mundësuan avancimin e statusit tonë”.
LDK megjithatë thotë se mbetet edhe shumë punë deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO.
“LDK-ja do të vazhdojë kontributin e saj, të filluar qysh më 1989, drejt integrimit të plotë të Kosovës në institucionet euroatlantike”, ka deklaruar LDK./Telegrafi/